“Pa bërë rrugën mos u mundoni, s’kemi ç’ju duam” Banorët e Poçemit mesazh politikanëve

Shqipëria

“Pa bërë rrugën mos u mundoni, s’kemi ç’ju duam” Banorët e Poçemit mesazh politikanëve

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 15:32
Poçemi

Nga njëra anë rrezikojnë të rrëshqasin dherat, e nga ana tjetër mungojnë bordurat mbrojtëse.

Këtë rrugë detyrohen ta bëjnë çdo ditë rreth 200 familje të fshatit Poçem në Mallakastër.

Duke apeluar për nderhyrje, banorët shprehen se rruga e cila nis nga nga autostrada Levan-Tepelenë dhe përfundon pranë brigjeve të lumit Vjosë është lënë totalisht në harresë.

“Këtu nuk ka investuar asnjë deri tani, jetojmë prej 30 vitesh këtu dhe asnjë nuk ka bërë diçka për fshatin tonë, këtu nuk ka rrugë”, shprehen banorët.

Bashkia e Mallakastrës ka hequr dorë nga 200 familje të Poçemit, pasi siç shprehen banorët, përgjigjja që marrin është se rruga e fshatit është rrugë nacionale dhe përgjegjësia për ndërtimin e saj i takon ministrisë së Infrastrukruës.

“Ku të shkojmë , ku të ankohemi se na thonë është rrugë nacionale, po ne të kujt jemi”, shprehen banorët.

Ata shprehen se nuk do te dalin në zgjedhje nëse nuk rregullohet rruga.

“ Pa u bërë rruga mos të mundohen të vijnë për votime, për çfarë i duam për karriget e shtetit”, shprehen banorët.

Por ky nuk është shqetësimi i vetëm për banorët, pasi ata vuajnë edhe mungesën e një qendre shëndetësore.

“ Është në gjëndje të mjerueshme, i ka rënë çatia. Kur shkojmë për të bërë gjilpërat kemi frikë dhe i  kërkojmë të vijnë në shtëpi për të na bërë gjilpërat”, shprehen banorët.

Poçemi njihet për bukuritë e shumta natyrore si dhe për burimin e ujit të pijshëm, por banorët thonë se mungesa e investimeve ka bërë që shumë bashkëfshatarë të ikin nga aty për një jetë më të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat