Rindërtimi, Ahmetaj: Shtëpitë i mbyllim në 2022! Hetimi i SPAK? Ministri politikat bën

Shqipëria

Rindërtimi, Ahmetaj: Shtëpitë i mbyllim në 2022! Hetimi i SPAK? Ministri politikat bën

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 22:07
Ministri Ahmetaj

Opozita ka akuzuar vazhdimisht qeverinë për abuzime me fondet e rindërtimit. Eksperti i ekonomisë Pano Soko, gjithashtu akuzon se procesi i rindërtimit qysh tek tenderimi u krye në mungesë të plotë transparence duke lënë vend për dyshime për abuzime me fondet dhe mungesë të garës mes kompanive. “Procesi i rindërtimit ka pikëpyetje të mëdha për procedurat që janë ndjekur. I gjithë procesi me shumat e jashtëzakonshme është përqendruar në duart e 3-4 kompanive, që kanë marrë oligopolin e rindërtimit. Ne tenderat i kemi bërë emergjent, por ndërtimi i shtëpive nuk qenka emergjent. Sot pas rreth 200 mln eurove të shpenzuara dhe miliona të tjera mungon gara dhe abuzivizimi ka gjetur terrenin e duhur për t’u rritur dhe kultivuar” tha ai.

Ministri Ahmetaj thotë se i gjithë procesi është kryer në transparencë të plotë mes numrit të madh të kompanive pjesëmarrëse në procesin e rindërtimit, duke rrëzuar akuzat për abuzime apo përqendrim në pak duar të fondeve të rindërtimit. “Nuk ka asnjë ankesë në procesin e rindërtimit. Janë 175 operatorë që kanë marrë punë, nuk ka lote të mëdha, janë të vogla në mënyrë që të shpërndahet puna. Është procesi më transparent”.

Ministri i rindërtimit, sqaron gjtihashtu ecurinë e procesit të lëvrimit të fondit për rindërtimin gjatë këtij viti. “Është alokuar nga 34 mld, 32 mld dhe sot janë disbursuar mbi 120 mln dollarë dhe ndërkohë duke kombinuar edhe grantin dhe ndryshimet me cash-in, besoj do të ezaurohet i gjithë fondi” tha ai.

Përsa i përket vendimit për të përzgjedhur Fondin Shqiptar të zhvillimit dhe bashkinë Tiranë si menaxhuesit e vetëm të procersit të rindërtimit, Ahmetaj argumenton kështu: ‘Dy njësi zbatuese. Fondi është institucion i certifikuar nga donatorët me eksperiencë shumë të madhe dhe po e tregon puna, e njëjta gjë vlen edhe për bashkinë, më mirë nuk kishim ku të gjenim, puna është e shkëlqyer” tha ai.

Kthehemi në Thumanë për të parë se çfarë ka ndodhur në sheshin ku ngriheshin pallatet që morën jetë njerëzish. Kompleksi i pallateve në Thumanë po ndërtohet nga donatorët. Atje nuk ka mbërritur fondi i rindërtimit.  “Fondacioni i zotit Behgjet Pacolli do të ndërtojë një pallat, një milion euro është kontributi i fondacionit. Aty do të ndërtojë edhe fondacioni i Elvis Naçit, ndërsa në Fushë Krujë është totalisht kontributi i shtetit, në Laç po ndërton qeveria turke, 524 apartamente. Nesër fillon infrastruktura për “Laç-2”” tha ai.

Ndërkohë banorët e pallateve të Thumanës, ende nuk e dinë se kur do të hyjnë në banesat e tyre. Nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga autoritet. “Se kur nuk e dimë, shpresojmë vitin që vjen. Do të bëhet na thonë, ne rrimë me shpresë, nuk na kanë thënë gjë” thanë disa prej tyre. Prej një viti enden në kërkim të banesave me kosto të ulët, pasi bonusi i qerasë është vetëm 20 mijë lekë. Ata janë larguar nga Thumana, sepse atje nuk mund të gjenin banesa me qera. ‘Më ndihmonte djali për të paguar qeranë, ose më falte ndonjë dikush për të blerë ilaçet”.

Ministri Ahmetaj ka një përgjigje edhe për banorët e Thumanës, se kur do të hyjnë në banesat e reja. “Në rastin më ekstrem në pranverë të 2022 janë të gjithë në shtëpitë e tyre, shumica do të jenë deri në shtator të 2021, shumica. Procesi ka të papriturat e veta, se ndërtim është mund të kemi 2-3 muaj vonesë, por në mars të ’22 janë të gjithë në shtëpi” tha ai.

Në Thumanë ka shumë banesa private që janë rrënuar. Kjo zonjë jeton në çadër prej një viti. “Kur bie shi, një metër ujë, dy divane i kam hedhur, një ma kanë falur. Dimrin e kalova për faqe të zezë. Më kanë thënë për një kontenier, por nuk po ma sjellin” tha ajo.

Për rreth 1500 familje që vazhdojnë të jetojnë nëpër çadra, ministri thotë se ata e përfitojnë bonusin e qirasë dhe se është zgjedhja e tyre të vazhdojnë të jetojnë në çadër. “Numri i personave në çadër filloi diku te 12 mijë, tani është 1234. Pra ky numër përfiton bonues qiraje por për arsye se do të rrijë afër shtëpisë së dëmtuar apo bagëtisë, apo tokës, ka preferuar të rrijë në çadër” tha ai.

Pavarësisht argumenteve që sjell ministri, për ekonomistin Pano Sako, jetesa në çadër për një vit dhe me shumë mundësi, edhe një vit tjetër, është e pajustifikueshme. “1500 familje në çadër, është e frikshme”.

Pak ditë pas tërmetit kryeministri Edi Rama u shpreh i bindur se brenda 2020 do të ndërtoheshin të gjitha banesat e prishura. Ai theksoi se nuk do të tolerohej shkelja e këtij afati. “Brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë asnjë diskutim më për asnjë person, që ka humbur shtëpinë nga tërmeti, duhet të jenë të gjithë në kushte më të mira sesa ishin përpara tërmetit” tha Rama.

Por sot pas një viti ka shumë pak banesa të rindërtura, shumë njerëz jetojnë në çadër. Për shkak të pandemisë viti 2020 u bë edhe më i vështirë, por kjo nuk është arsye për të justifikuar vonesën pasi procesi i tenderimit u krye me procedurë të përshpejtuar në kushtet e emergjencës. Ministri Arben Ahmetaj beson se pas një viti është bërë maksimumi kur thotë se të gjithë banorët do të jenë brenda banesave pranverën e 2022, pra 2 vite më vonë nga sa kishte premtuar Rama.

“Po e nis nga Shijaku, do të kemi 400 banesa deri në 31 dhjetor, në Tiranë 300 dhe në Durrës 200. Të gjitha lotet janë prokurur, përvec Kamzës. Deri në 31 dhjetor do të kemi gati 12 shkolla deri në datë 26 dhe 26 të tjera deri në 31 dhjetor. Diku në pranverën e 2022 nuk do të kemi më asnjë shenjë të tërmetit, vetëm shtëpi të reja. Të gjitha familjet të rikthyera në shtëpitë e tyre” tha ai.

Për procesin e rindërtimit, opozita ka paraqitur padi në SPAK prokurorinë e posaçme, ku pretendohen abuzime nga qeveria. SPAK konfirmon se hetimi është në proces, ndërsa ministri Ahmetaj thotë se nuk ka dijeni për këtë hetim. “Jo, nuk kam informacion, por besoj që institucionet merren me ankesat, akuzat, paditë, e kujtdo, nuk kam dijeni fare për ndonjë akuzë në SPAK për rindërtimin për askënd, për mua jo e jo, unë jam ministri që bëj politikat e rindërtimit, monitoroj, por as për fondin e zhvillimit, as për bashkinë e Tiranë, as Institutin e Ndërtimit, as për ndonjë bashki tjetër. Po, këtu jemi” tha ai.

Pa marrë parasysh kritika e akuza, ministri tregon bilancin e punës një vit pas tërmetit. Ministri beson se brenda pranverës së vitit 2022 të gjithë do të jenë në shtëpitë e tyre, por deri atëherë, shumë banorë nëpër çadra apo shtëpi të rrënuara e kanë të pamundur jetesën.

Pavarësisht shifrave e bilanceve pozitive që tregon ministri, në terren situata është dramatike për shumë banorë të dëmtuar nga tërmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat