BE ‘harron’ negociatat me Shqipërinë

Shqipëria

BE ‘harron’ negociatat me Shqipërinë

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 21:27
BE

Pandemia, ndryshimet e klimës dhe mosmarrëveshjet me Turqinë lanë jashtë axhendës së samitit të udhëheqësve të BE-së çështjet e zgjerimit. Në asnjë reshet të konkluzioneve të miratuara pas mbledhjes së Këshillit Europian nuk përmendet kuadri negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Së pari Shqipëria dështoi të plotësojë kushtet e përcaktuara nga samiti i marsit, kur detyrë kryesore ndër të tjera u la plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe hartimi i një reforme gjithëpërfshirëse elektorale. Kësaj i shtohen edhe dyshimet që kanë disa vende anëtare për cilësinë e reformave të vendit dhe kritikat e vazhdueshme për mjedisin e polarizuar politik si dhe projektligjin për mediat.

Për fqinjin e Shqipërisë, Maqedoninë Veriore doli në pah problemi me Bullgarinë, Sofja vendosi veton duke bllokuar së pari miratimin e kuadrit negociues, pasi kërkon që Shkupi të pranojë se maqedonishtja buron nga bullgarishtja.

Problemet që dolën sollën frustrim të madh për presidencën gjermane, që zgjerimin e Bashkimit Europian dhe bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor e kishte vendosur si përparësi të kryesimit të vet të Këshillit.

Nuk dha rezultat as thirrja e eurodeputetëve për të filluar sa më bisedimet e pranimit me të dy vendet.

Mbyllet kështu presidenca gjermane me zero rezultate për politikën e zgjerimit. Nuk u shënua përparim as për liberalizimin e vizave për Kosovën. I vetmi sukses ishte miratimi i Planit Ekonomik dhe i Investimeve që parashikon mbështetje për disa projekte infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor.

I mbetet tani Portugalisë që të vendosë në axhendë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat