“Koordinimi” në gjykatë, gjykata e Krujës lë në burg 8 nga 11 të arrestuarit për kanabis

Shqipëria

“Koordinimi” në gjykatë, gjykata e Krujës lë në burg 8 nga 11 të arrestuarit për kanabis

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 23:50
Ilustrim

Gjykata e Rrethit të Krujës ka dhënë këtë të hënë masat e sigurisë për 11 persona të arrestuar 3 ditë më parë për kultivim kanabisi në këtë zonë.

Duke lënë në burg 8 persona, për 2 të tjerë u dha masa e sigurisë arrest shtepie dhe për një tjetër masa detyrim paraqitje.

Urdhër-arresti për 11 të pandehurit u lëshua dhe u ekzekutua 3 ditë më parë në sajë të operacionit të koduar “Koordinimi”.

Bëhet e ditur se finalizimi i operacionit ka ardhur pas hetimeve disamujore të zhvilluar në fshatin Vrijon të Krujës nga uniformat blu në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “KOORDINIMI“, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, si dhe atë të armëmbajtjes pa leje. Operacioni i zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Komisariati i Policisë Krujë dhe RENEA, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të SHÇBA-së Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Ekzekutohen masat e sigurisë për 10 shtetas, shpallen në kërkim 3 shtetas të tjerë.  Gjithashtu, gjatë operacionit kapen dhe arrestohen në flagrancë edhe dy shtetas të tjerë. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, dy armë gjahu, dy radio si të Policisë, municion luftarak, lëndë narkotike dhe një sasi parash.

Si rezultat i një pune disamujore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në funksion të procedimit penal të vitit 2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, nga strukturat e Policisë, në bashkëpunim me ato të SHÇBA-së, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gyqësor Krujë, u ekzekutuan urdhrat e ndalimit të lëshuara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, për shtetasit:

 H. K., 35 vjeç, G. K., 32 vjeç, L. K., 27 vjeç, N. M., 40 vjeç, Y. M., 25 vjeç, E. L., 25 vjeç, S. Z., 39 vjeç, A. F., 47 vjeç, H. M., 33 vjeç dhe S. S., 19 vjeç, banues në Krujë.

Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasve: B. D., 30 vjeç, I. K., 49 vjeç dhe L. D., 20 vjeç, banues në Krujë.

Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

G. Z., 33 vjeç, banues në fshatin Vrijon, Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

A. K, 39 vjeç, banues në fshatin Virjon Krujë,  për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajta pa leje e armëve dhe municioneve”, pasi gjatë kontrollit në banesë Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë. Vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjere të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për hetime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat