Reagon babai i Klodian Rashës:”Nuk kërkoj mëshirë, por drejtësi”

Shqipëria

Reagon babai i Klodian Rashës:”Nuk kërkoj mëshirë, por drejtësi”

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 10:01
Reagon babai i Klodian Rashës:”Nuk kërkoj mëshirë, por drejtësi”

Babai i Klodianit, Qazim Rasha është përgjigjur për vendimin e qeverisë për t’i lidhur një pension, por duke e quajtur vdekjen aksidentale.

Babai i Klodian Rashës thotë se kërkon drejtësi dhe jo mëshirë.

A do ta pranojë familja Rasha këtë trajtim financiar?

Kryeministri Edi Rama ka ardhur dy herë personalisht në shtëpinë time. E kam mirëpritur dhe do ta mirëpres sa herë të mendojë për të ardhur për të më ngushëlluar në familjen time. I kam kërkuar kryeministrit, zoti kryeministër kam kërkuar që nga dita e parë drejtësi dhe vetëm drejtësi. Nëse kryeministri im më jep drejtësinë e djalit që të qetësohet shpirti i atij atje, por të qetësohen dhe zemrat e mia, zemrat e gjithkujt që e ndiejnë fëmijën tim si djalin e tyre, ky është vlerësimi, ky është kompensimi, kjo është gjithçka.

Në qoftë se vendimi apo gjykimi del me të tilla hipoteza, siç janë ngritur alibi nga më të ndryshmet, jo aksidentale, jo kalim kompetencash, këto janë gjëra që unë prapë kam besim tek gjykata, tek prokuroria. Drejtësinë e japin ato. Në qoftë se ato e gjykojnë që të jepet drejtësi, të jepet. Unë nuk kërkoj mëshirë, nuk kërkoj lëmoshë.

Nuk kërkoj të më bësh një nder. Unë kërkoj vetëm drejtësi dhe vetëm ligji. Nëse manipulohen ato mos harrojmë kam bërë dhe unë punën time për aq sa më takon. Ca materiale i kam dhe unë në xhepin tim. Ta dinë të gjithë. Ai është një vend i monitoruar nga 100 kamera, në mos njëra tjetra dhe në qoftë se manipulohet një kamerë apo një tjetër, ca i kam vetë në xhep, ta dinë të gjithë.

Në vendimin e qeverisë, vrasja e Klodian Rashës konsiderohet si vrasje aksidentale. Si u ndjetë kur e lexuat këtë vendim?

As qeveria, as parlamenti, as ti si gazetare, as unë si qytetar nuk mund të japë vendimin. Vendimin e jep vetëm gjykata dhe prokurori. Unë ia kam lënë në dorë shtetit, shteti të bëjë punën e tij. Nëse e drejta shkon atje ku takon mua më lehtësohet dhimbja. Nëse devijohet në një formë a tjetër atëherë do të thotë që këtu ka padrejtësi dhe padrejtësia do të shkojë atje ku është për të shkuar.

I kam rritur me djersë, i kam rritur me nder, i kam rritur me krenari dhe jam i zoti t’i rris me krenari dhe s’ia shtri dorën askujt. S’kam nevojë për askënd, as për lekë e as për asgjë në botë. Jetoj me djersën e ballit, jetoj me krenarinë time. Nuk kam dalë për mëshirë, kam dalë të kërkoj të drejtën e djalit tim. Në qoftë se kjo e drejtë zbardhet unë ndiej një farë lehtësimi dhe ai që ka ikur më lehtëson nga shpirti. ndryshe është…nuk e di…nuk ia vë dot emrin pastaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat