Pasaportat më të forta të 2021, ku renditet Shqipëria

Shqipëria

Pasaportat më të forta të 2021, ku renditet Shqipëria

Më: 7 janar 2021 Në ora: 15:35
Foto ilustrim

Ditët e mbushura me udhëtime dhe fluturimet me avionë nëpër botë duken sot të largëta. Covid-19 ka ndryshuar krejtësisht peizazhin e udhëtimeve e ndoshta kjo do të zgjasë me dekada. Shtetet në të gjithë botën janë duke marr masa të reja, ndërkohë që së shpejti pritet që vaksina të bëhet një detyrim për ata që duan të udhëtojnë jashtë.

“Henley Passport Index” që mat në mënyrë periodike vlerën e pasaportave bazuar në numrin e udhëtimeve pa viza që ato mundësojnë, ka publikuar raportin për vitin 2021.

Japonia kryeson listën

Vendet aziatike vazhdojnë të kenë pasaportën më të pushtetshme. Kjo renditje nuk merr parasysh kufizimet e përkohshme për shkak të situatës. Sidoqoftë Japonia ka sot pasaportën më të fortë, që u mundëson qytetarëve të saj akses pa vizë në 191 shtete të botës.

Në vendin e dytë qëndron Singapori me 190 shtete, më pas Korea e Jugut bashkë me Gjermaninë me një numër prej 189 vendesh ku qytetarët e tyre mund të udhëtojnë pa vizë.

Ndërkohë, raporti bën me dije se përgjithësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Bashkimit Europian kanë qenë ato që kanë kryesuar listat, por siç shkruan Opinion.al, ekspertët shprehen se zona aziatike e Paqësorit do të vijojë të forcojë pozicionin e saj edhe për faktin se ajo përfshin disa nga vendet që do të nisin të parat rekuperimin nga pandemia.

Pasaportat më të forta të vitit 2021:

Japonia (191 destinacione)
Singapori (190)
Kore e Jugut, Gjermani (189)
Itali, Finlandë, Spanjë, Luksemburg (188)
Danimarkë, Austri (187)
Suedi, Francë, Portugali, Holandë, Irlandë (186)
Svizër, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, Belgjikë, Zelanda e Re (185)
Greqi, Maltë, Republika çeke, Australi (184)
Kanada (183)
Hungari (181)
Ndërkohë, Shqipëria renditet në vendin e 52-të me 114 destinacione ku qytetarët e saj mund të udhëtojnë pa viza. Pas saj qëndron Turqia me 110 destinacione, ndërkohë që në rajon, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut qëndrojnë në vendin e 45-të me 124 destinacione.

Disa vende, kanë akses shumë të vogël të udhëtimit pa viza për shtetasit e tyre, të cilët mund të lëvizin në më pak se 40 destinacione:

Korea e Veriut (39 destinacione)
Libia, Nepali (38)
Territoret palestineze (37)
Somalia, Jemeni (33)
Pakistani (32)
Siria (29)
Irak (28)
Afganistan (26)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat