Prokuroria përpilon dosjen e çon në gjyq Klement Çalën

Shqipëria

Prokuroria përpilon dosjen e çon në gjyq Klement Çalën

Më: 11 janar 2021 Në ora: 14:42
Klement Çala

Prokuroria e Elbasanit përfundon hetimet për Klement Çalën i akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale. Çala është marrë i pandehur dhe është dërguar për gjykim.

Procedimi penal i prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan ishte regjistruar më 2 korrik 2019.

Ndërsa më 23 korrik të 2019 Gjykata e Elbasanit mori vendim për sekuestron e pasurisë

Pasurite e sekuestruara

Vendosja e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi pasuritë e paluajtshme:

Pasurinë me Nr. 1/189+1-2, vol. 23, f. 145, e llojit apartament, me sipërfaqe 50 m², zona kadastrale 8524, e gjendur në lagjjen “Vullnetari”, Pall. Nr. 645, shk. 1, kati 1, ap. 2, Elbasan, regjistruar në emër të shtetasve Pullumb Shefqet Çala dhe Elida Luan Çala;

Pasurinë me Nr. 468/2/3, vol. 4, f. 131, e llojit arë + truall me sipërfaqe 500 m², zona kadastrale 2346, si dhe ndërtesë 1 kat e llojit njësi, me sipërfaqe 167,9 m², e gjendur në fshatin Kusarth, Bashkia Elbasan, regjistruar në emër të shtetasve Eldi Pullumb Çala dhe Elida Luan Çala;

Pasurinë me Nr. 428/2/6, vol. 5, f. 127, e llojit arë me sipërfaqe 809,5 m², zona kadastrale 2346, e gjendur në fshatin Kusarth, Bashkia Elbasan, në emër të shtetasve Alkond Ferdinand Bengasi, Esunela Ferdinand Qevani dhe Alert Ferdinand Qevani, ku në datë 14/12/2017 është regjistruar kontrata e sipërmarrjes Nr. 4788/2867, datë 14/10/2017, me investitorë shtetasit Elida Luan Çala, Eldi Pullumb Çala dhe Pullumb Shefqet Çala.

Vendosja e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi 50% të kuotave të zotëruara nga shtetasi Eldi Pullumb Çala në shoqërinë tregtare “Alba Fashion Confession” sh.p.k, me Nipt L82620202I.

I pandehur

Në kuadër të këtij procedimi penal, në datë 16 dhjetor 2020 u mor i pandehur dhe u akuzua për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 287/1 i Kodit Penal shtetasi Klement Çala.

Në përfundim të hetimeve paraprake, duke i konsideruar të plotë veprimet hetimore, në përputhje me përcaktimet e nenit 327/6, gërma b, të Kodit të Procedurës Penale, me kërkesën e datës 31/12/2020, nga prokurori i çështjes është përpiluar kërkesa me objekt “Dërgimin për gjykim” të kësaj çështjeje penale në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, seksioni penal.

Më përpara Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi Klement Çalën me 25 vite burg, si një nga të akuzuarit për grabitjen e 3.2 milionë Eurove në rrugën e Rinasit, ngjarje e ndodhur më 9 Shkurt 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat