Belind Këlliçi nxjerr skandalin: Si kandidati i PS ndërton pa leje në mes të Tiranës

Shqipëria

Belind Këlliçi nxjerr skandalin: Si kandidati i PS ndërton pa leje në mes të Tiranës

Më: 26 janar 2021 Në ora: 20:11
Belind Këlliçi

Partia Socialiste përmes platformës “Deputeti që duam” ka marrë prurje të reja, ku sipas tyre janë të rinj të arsimuar dhe profesionitë në fusha të ndryshme. Një prej kandidatëve të rinj është edhe Daniel Garunja nga Tirana, i cili do të hyjë në fazën finale të përzgjedhjes së kandidatëve që do i bashkohen PS në zgjedhjet e 25 prillit.

Por ditën e sotme kreu i FRPD Belind Këlliçi ka nxjerrë disa foto, ku shprehet se kandidati Garunja me bekimin e PS  po shkel qëllimisht ligjin.

Këlliçi shprehet se në pallatin ku ai banon në zonën e Liqenit të Thatë po ndërton një verandë, e cila po dëmton edhe pronën e të tjerëve. Sipas tij, kandidatit të PS i mjaftojnë vetëm disa çarçafë për të mbuluar këtë skandal, ndërsa Policia Bashkiake është e zënë duke u konfiskuar të varfërve perimet që shesin.

“Daniel Garunja nga Tirana është një “prurje e re” në Partinë Socialiste.

Sipas PS, Garunja është një prej shumë të rinjve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme, që nëpërmjet platformës “Deputeti që duam”, ka zgjedhur PS për të kontribuar me aftësitë dhe idetë e tij. Garunja do të hyjë në fazën e përzgjedhjes finale të listës së kandidatëve që do i bashkohen ekipit garues të PS në zgjedhjet e 25 prillit.

Ai vetë thotë se do t’i japë zgjidhje probleme të komunitetit.

Aq bashkëpunues është Garunja me komunitetin sa që në pallatin ku banon, në zonën e Liqenit të Thatë, po ndërton një verandë betoni pa leje. Pallati është pronë e përbashkët e banorëve dhe ndërhyrja e njëanshme në fasadën e tij dëmton pronën dhe pronarët e tjerë. Procedura ligjore për shtesat është e qartë:

Nuk lejohen ndërhyrjet në fasadën e objektit pas hipotekimit!

Po Garunja është pjesë e skuadrës së “Rilindjes” dhe i mjaftojnë disa çarçafë për të mbuluar paligjshmërinë.

Policia Bashkiake ndërkohë është shumë e zënë duke u konfiskuar fukarenjve presh, lakra e makineri kokoshkash. Bashkiakët hyjnë në çdo skutë të qytetit për të kapur normën e gjobave për parkimet që u cakton kryetari, por nuk kanë sy të shohin ndërtimin pa leje të “Deputetit që duam”. Qytetarët e Tiranës nuk riparojnë dot tualetin pa marrë leje kurse “Deputeti që duam”, në paligjshmëri të plotë, bën ndërhyrje në fasadën e pallatit.

Me këto prurje të reja, PS do t’i shembet kaskada totalisht më 25 prill”, shkruan Këlliçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat