“Zgjedhjet duhet të ishin mbajtur më herët”/ Meta: Koha për një përmbysje të madhe

Shqipëria

“Zgjedhjet duhet të ishin mbajtur më herët”/ Meta: Koha për një përmbysje të madhe

Më: 27 janar 2021 Në ora: 21:40
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka folur mbrëmjen e sotme për zgjedhjet parlamentare, për të cilat pretendon se duhet të ishin mbajtur kohë më parë.

Meta tha se realizimi i zgjedhjeve më herët do të ndihmonte në zgjidhjen e shumë problemeve ekonomike dhe sociale.

Sipas tij, shqiptarët po ndiejnë një tkurrje dhe krizë të madhe ekonomike, ndaj pretendon se është koha për një përmbysje të madhe.

“Të  gjithë ndajmë të njëjtin mendim, që zgjedhjet duhet të ishin mbajtur me kohë, në kuptimin e zgjidhjes së shumë problemeve ekonomike e sociale, që jo vetëm nuk kanë marr një drejtim por, janë majisur tepër rëndë, duke shtuar akoma më shumë varfërinë dhe padrejtësitë ndaj qytetarit të thjeshtë, të palidhur politikisht me pushtetin, në nivel qendror apo vendor.

Është evidente, se tashmë vendi përballet me dy probleme të mëdha, bllokimin e integrimit europian, pra me mosçeljen e negociatave prej kaq kohësh, si dhe me ritmet dramatike të shpopullimit, largimit masiv i të rinjve dhe forcave më aktive, në një asimetri me vendet e tjera të rajonit.

Shpopullimi dhe pasojat e tij, ndihen besoj nga vetë mësuesit, nga shkollat 9-vjeçare, të mesme dhe  Universitetet, ku çdo vit ka gjithnjë e më pak regjistrime, mbyllen shkolla dhe degë në fakultete. E ndjejnë sipërmarrësit, të cilët kanë paqëndrueshmëri të fuqisë punëtore, madje nuk kanë shpesh fuqi punëtore për shkak të largimeve.

E ndjen ekonomia shqiptare dhe mbi të gjitha ndihet në familjen shqiptare, që po tkurret dhe po përjeton kriza të mëdha. Ndaj është koha për një përmbysje të madhe”, u shpreh Kreu i Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat