Konflikti për gjobën, qytetari: Kaq ke në dorë se je polic, ta tregoj unë kush jam

Shqipëria

Konflikti për gjobën, qytetari: Kaq ke në dorë se je polic, ta tregoj unë kush jam

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 16:44
Foto ilustrim

Një gjobë është kthyer nga respektim detyre në sherr personal mes një patrulle policie dhe një shtetasi, i cili ka refuzuar masën administrative me arsyetimin e vetëm se policët do duhet të ishin më të kujdesshëm me të.

Por teksa policët pretendojnë se nuk u lejuan të kryejnë detyrën e tyre, të njëjtën gjë insiston dhe shtetasi A. D, sipas të cilit ndër të tjera policët nuk  e mbështetën emocionalisht pas aksidentit dhe kjo ftohtësi i prishi ekuilibrin mendor.

Çështja u regjistrua pranë policisë në Tiranë, pasi palët përfunduan në komisariat. Efektivi pretendon në denoncim se është kërcënuar për shkak të detyrës, madje se qytetari i la të kuptohej se ishte i fuqishëm dhe se do t’i rrezikonte punën. Sipas burimeve të gazetës Si, polici me inicialet L. A, aktualisht me detyrë efektiv i policisë rrugore iu ka thënë kolegëve se u kanos pas vendosjes së një gjobe administrative.

Denoncimi bëjnë me dije burimet e komisariatit numër pesë u përpilua menjëherë ndërkohë që pas rrëfimit të 40-vjeçarit çështja u regjistrua nga kolegët e tij për kundërshtim të forcave të policisë. Polici thotë se ishte planvendosur në vendin e quajtur Kthesa e Kamzës, kur shërbimet policore kanë konstatuar një makinë jashtë rrugës që ishte kuptuar qartësisht se bëhej fjalë për një aksident.

“U afruam menjëherë, – tregon në polici 40-vjeçari – dhe fatmirësisht shtetasi nuk kishte marrë asnjë lëndim. Ai ishte vetëm në timon dhe ne e pyetëm për çfarë kishte nevojë”. Por në përfundim të kësaj përkujdesjeje, kur policia ka thërritur një karrotrec për të larguar automjetin, sakaq i është kërkuar drejtuesit të mjetit që t’ju tregonte dokumentacionin si shofer.

Por kur polici rrugor i ka prerë fletën e gjobës shtetasit A. D, shoferi ka humbur qetësinë dhe i mërzitur ka reaguar. “Kaq ke në dorë, se je polic, por eja civil se ua tregoj unë ndryshe. Hajde në Babrru se ke për të shikuar se çfarë do të bëj”. Më tej, i riu ka kërcënuar “do bëj ca telefonata dhe të tregoj unë se çfarë jam i zoti të bëj”, deklaroi para shërbimit të policisë shoferi i nxehur.

Shoferi nevrik sipas efektivit të policisë rrugore, nuk ka ushtruar dhunë fizike, megjithëse ka vijuar edhe me kërcënime të tjera. Që nga nënkuptimi se do iu rrezikonte detyrën deri te ndeshja që ka kërkuar tek për tek.

“Ai më kanosi verbalisht, na sfidoi të hiqnim uniformën e policit dhe të ndesheshim me të si burrat”, shkruan në kallëzim polici 40-vjeçar.

Por i denoncuari, një djalë i moshës 27-vjeçar sipas burimeve policore të gazetës Si, këmbëngul se nuk gjeti dashamirësinë e policëve që kur e konstatuan jashtë karrexhatës, nuk e uruan që ai kishte shpëtuar paq, por ftohtësisht e gjobitën për aksidentin dhe pakujdesinë që kishte treguar si shofer.

A.D i thotë policisë se nuk ka nevojë për avokat dhe se fjalët kërcënuese i tha nga shqetësimi i aksidentit që i kishte nxjerrë në pah një anë jo fort të mirë të tijën.

“Si pasojë e reshjeve të shiut mjeti doli nga rruga. Nuk pësova dëmtime, as unë as makina. Policët gjithsesi nuk u kujdesën për gjendjen time emocionale”.

Por punonjësit e policisë këmbëngulin në rrëfimin e tyre se i ofruan kujdesin e duhur njerëzor. “Kërkuam karrotrec, e pyetëm nëse ishte mirë dhe nëse kishte nevojë ta dërgonim në spital, por qytetari u shpreh se nuk kishte nevojë për kujdes shëndetësor. Më pas në vendngjarje u veprua  sipas nenit 193/3 për vendosjen e masës administrative të prerje së gjobës. Ju komunikua qytetarit që ai duhej të paraqitej në komision dhe ai kundërshtoi”, dëshmojnë pranë kolegëve efektivët.

Qytetari ankohet dhe debaton në këtë pikë. “Kur i pyeta përse duhet të paraqitesha në komision policët m’u përgjigjën, ik se ta tregojnë komisionin ata njerëzit që do telefonosh”.

Qytetari kujton se kjo frazë e ka nxehur më tej, aq më tepër që sipas tij policët e kanë shtyrë me dorë, pasi sipas tij ai iu ishte mburrur që kishte njohje dhe njohjet do t’i telefononte. A. D thotë se ka folur burrash me policët duke iu kërkuar një ndeshje të barabartë. “Në qoftë se jeni burra, hiqeni uniformën dhe më gjuani e t’ju gjuaj, se kështu ju me uniformë s’jemi të barabartë, në qoftë se nuk keni gjë personale me mua”, citon dhe pretendon të ketë thënë i riu. Qytetari nga ana e tij ka vazhduar me akuza ndaj policëve, duke thënë se edhe ata e kishin sharë nga njerëzit e shtëpisë. Por dëshmitarët e pyetur e hedhin këtë qëndrim të të riut, duke e lënë vetëm në këtë version justifikues të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat