PS akoma në rezultate të kënaqshme, prisja më shumë nga PD-ja

Shqipëria

PS akoma në rezultate të kënaqshme, prisja më shumë nga PD-ja

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 21:48
Eris Luarasi

Në një intervistë për Ora News, pedagogia e gazetarisë, Eris Luarasi u shpreh se janë disa sondazhe që janë bërë nga Noto Sondazhe dhe kanë rezultuar të vërteta.

Luarasi tha se ka një numër shumë të madh të të pavendosurve dhe theksoi se priten shumë lëvizje pasi nuk ka filluar akoma fushata elektorale.

Për Luarasin, rezultatet janë ende të kënaqshme për PS, duke pasur parasysh që ka 8 vite në pushtet, dhe shtoi se është e befasuar nga rezultati i PD-së sepse mendonte se do të ishte më lart.

Luarasi: Janë disa sondazhe që janë bërë nga Noto Sondazhe dhe kanë rezultuar të vërteta, kështu që diskutimi për cilësinë e sondazheve këtu bie. Unë kam tendencë t’u besoj kompanive të tilla që kanë vendosur standarde. Kur shikon orientimin e votës, sheh se kjo është jnë votë që është në orientim e sipër dhe këtë gjë e tregon edhe sondazhi i Notos. Kemi ndryshime në përqindjen e partive nga data 19 janar. PS ka pësuar një dobësim me 1%, si dhe LSI po me aq, ndërsa PD është fuqizuar me 1%.

Por nuk duhet të harrojmë se ka shumë që janë të pavendosur, që janë 27%. Ka shumë lëvizje që do të ndodhin këtë periudhë pasi nuk ka nisur akoma fushata elektorale, por beteja politike ka filluar tashmë në kampet politike. Rezultatet janë ende të kënaqshme për PS, duke pasur parasysh që ka 8 vite në pushtet, duke qenë se është lodhur dhe nuk mund t’i mbash njerëzit të kënaqur. Më befason rezultati i PD-së sepse mendoja se do të ishte më lart, sepse njerëzit do të duhet të kishin një qasje tjetër. Kjo shpjegohet me moskrijimin e frymës në PD ose me mosfillimin e fushatës elektorale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat