Shit-blerja e votave vendos në siklet kryeministrin, Rama: Mbresëlënëse ta dëgjoj në gjuhën time, por…

Shqipëria

Shit-blerja e votave vendos në siklet kryeministrin, Rama: Mbresëlënëse ta dëgjoj në gjuhën time, por…

Më: 1 mars 2021 Në ora: 17:11
Edi Rama

Shit-blerja e votave u bë pjesë e diskutimit gjatë konferencës në Bruksel mes kryeministrit Edi Rama me dy zyrtarët e lartë të BE, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell si dhe Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Dy përfaqësuesit e BE u pyetën nga gazetarja Erisa Zykaj ndër të tjera për situatën parazgjedhore në Shqipëri dhe për fenomenin e shitjes së votës.

Borrel tha se e kanë inkurajuar kryeministrin që të ndjekë të gjitha aspektet që mbulojnë rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisioni i Venecias.

“Përgatitjet për zgjedhje janë në proces. E kemi inkurajuar kryeministrin që të ndjekë të gjitha aspektet e OSBE-ODIHR. Sa i takon çështjes specifike të blerjes së votës, raporti i fundit i Komisionit për Shqipërinë theksoi rëndësinë e një hetimi që është dhe transparent të akuzave. Vendimi i këshillit në mars 2020 theksojnë se nisja e proceseve gjyqësore për ata të blerjes së votës duhet shikuar”, dekaroi Borell.

Komisioneri Varhelyi theksoi rëndësinë e zbatimit në terren të atyre që janë arritur nga forcat politike në Shqipëri. Varhelyi tha se ka garanci të mjaftueshme në sistem duke përmendur që nga marrëveshja e 5 qershorit, tek rekomandimet e ODIHR dhe më pas pjesëmarrjen e vëzhguesve në zgjedhje.

“Përveç asaj që tha përfaqësuesi i lartë ne po i afrohemi zgjedhjeve që janë përgatitur në një mënyrë tërësore. Kemi pasur një marrëveshje midis partive. Ky është tashmë një element i ri krahasuar me zgjedhjet e mëparshme dhe kjo sjell garanci. Kjo reformë në përputhje të plotë me parimet e OSBE. Kjo u vijua nga opinioni i Komisionit të Venecias që ranë dakord ta zbatonin plotësisht. Shtesa e tretë e garancisë është pjesëmarrja e vëzhguesve në zgjedhje. Nga ana jonë do të ndihmojnë që vëzhguesit të jenë të pranishëm. Garanci të mjaftueshme ofrohen në sistem. Siç edhe ju pyetët për blerjen e votës do të shikojmë në terren se ç’masa të merren. Ne duam që ligji të zbatohet.

Sa i takon pyetjes që lidhet me rastet e nivelit të lartë të korrupsionit është diçka që e kemi biseduar dhe Shqipëria po bën përparim të qëndrueshëm. Nuk ka dyshim që tani na duhet të shikojmë emërimet dhe funksionin e këtyre organizmave. Kur përmenda nevojën për të ndërtuar më tej bilancin këtë kisha parasysh, edhe rivlerësimi i gjyqtarëve duhet të vazhdojë. Kjo ka qenë qasja e këtij komisioni që na duhet të bëjmë përparim në terren”, tha Komisioneri për Zgjerimin.

Kryeministri Rama nuk e priti mirë pyetjen e gazetares dhe tha se janë 20 persona të ndjekur nga prokuroria, për blerje votash.

”Më duhet ta sqaroj sepse është mbresëlënëse të dëgjoj në gjuhën time që nuk qenka bërë asgjë dhe nuk paska asnjë të hetuar dhe nuk është bërë asgjë ndërkohë që janë 20 persona të ndjekur penalisht nga prokuroria për blerje vote dhe janë në proces e sipër. Nga të gjitha partitë meqë ra fjala. Është mbresëlënëse të dëgjoj këtë gjë por le të vazhdojmë.”- u shpreh Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat