Zgjedhjet e 25 prillit, KE: Provë për funksionimin e demokracisë!

Shqipëria

Zgjedhjet e 25 prillit, KE: Provë për funksionimin e demokracisë!

Më: 2 mars 2021 Në ora: 08:47
Edi Rama

Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha dje se zgjedhjet e 25 prillit do të jenë prova e parë e funksionimit të demokracisë shqiptare.

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat me Kryeministrin Rama në Bruksel, Zgjedhjet e 25 prillit, KE: Provë për funksionimin e demokracisë!  tha se cilësia e zgjedhjeve do të ndikojë në çeljen e negociatave.

“E dimë që së shpejti do ketë zgjedhje parlamentare. Shprehëm shpresën se do jenë të lira e të ndershme, do kemi provën e parë të funksionimit të demokracisë shqiptare. Inkurajuam Shqipërinë të mos ndalojnë së punuari edhe gjatë fushatës, sepse rezultatet janë të rëndësishme për të bindur shtetet anëtare për të çelur negociatat”, u shpreh Varhelyi.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, duke vlerësuar ecurinë dhe reformat, bëri një apel për udhëheqësit politikë dhe partitë në Shqipëri, për të vendosur në listat e kandidatëve për deputetë, njerëz me integritet.

“Jam vërtetë shumë i kënaqur që i urova mirëseardhjen Kryeministrit Rama në takimin e 11 të Këshillit të Stabilizim-Asociimit që sapo ka përfunduar. Së pari Shqipëria është një partner kyç për BE-në. Është një partner i besueshëm për sigurinë dhe një model, shembull për rajonin. Shqipëria në mënyrë konsistente është 100% në përputhshmëri të plotë me politikën e BE-së për çështjet e jashtme dhe të sigurisë.

Ju jeni një shembull në Ballkan dhe nuk mund ta themi për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. BE-ja është partneri më i fortë i Shqipërisë dhe do vazhdojmë t’ju qëndrojmë në krahë në rrugëtimin drejt saj. Do vazhdojmë t’ju japim mbështetje. Këshilli i sotëm ishte një mundësi që ne të kuptonin se si dhe ku jemi në këtë marrëdhënien tonë dhe për zbatimin e reformave të nevojshme. E përgëzuam Shqipërinë për këmbënguljen për të ecur përpara me reformat.

Vazhdojmë ta inkurajojmë Shqipërinë që të vazhdojë me këto reforma, por edhe për faktin se këto reforma janë kyçe për modernizimin e Shqipërisë dhe për të ardhmen e qytetarëve. Për zgjedhjet e 25 prillit theksojmë nevojën që të gjithë të bëjnë të pamundurën që listat e kandidatëve të kenë njerëz me integritet. Sa u përket zgjedhjeve, ne kemi dhe një mesazh për të gjitha udhëheqësit politikë dhe të gjitha palët. Objektivi i integrimit duhet të jetë për të gjithë. Polarizimi i skajshëm nuk është shenjë e pjekurisë politike dhe nuk është në interesin e qytetarëve shqiptarë. Me shumë kërshëri po presim që të organizojmë Konferencën e Parë Ndërqeveritare pas miratimit të kuadrit negociues dhe në përputhje me kushtet që janë”, deklaroi Borrel.

SHITBLERJA E VOTËS

Dy zyrtarët e lartë të BE-së, Borrelli dhe Varhelyi, theksuan faktin se raportimet për shitblerje votash do të jenë në analizën e Bashkimit Europian. “Sa iu takon zgjedhjeve, kuptojmë që përgatitjet praktike për zgjedhjet e ardhshme janë në proces e sipër. E kemi inkurajuar Kryeministrin që të ndjekë të gjitha aspektet që mbulojnë rekomandimet e OSBE ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Sa i përket çështjes specifike të blerjes së votës, më lini t’ju them që raporti i fundit i KE-së për Shqipërinë theksoi një hetim transparent të akuzave për shkelje të dyshuara zgjedhore. Po kështu, vendimi i Këshillit në mars të 2020, thekson se nisja e proceseve gjyqësore kundër atyre që akuzohen për blerjen e votës është një nga çështjet që duhen reflektuar në kuadrin reflektues. Ky është qëndrimi zyrtar i Këshillit dhe Komisionit”, deklaroi Borrel.

Ndërsa Varhelyi tha se ka garanci të mjaftueshme në sistem, duke i përmendur që nga marrëveshja e 5 qershorit, te rekomandimet e ODIHRit dhe më pas pjesëmarrjen e vëzhguesve në zgjedhje. “Ajo çfarë mund t’ju them është se ne po i afrohemi zgjedhjeve që janë përgatitur në një mënyrë mjaft tërësore. Së pari kemi pasur një marrëveshje midis partive parlamentare dhe jashtë parlamentare për Reformën Zgjedhore. Ky është një element i ri krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Kjo sjell garanci për parregullsi në procesin e votimit. Është trajtuar si një çështje madhore te rekomandimet e ODIHR-it. Më pas kjo u vijua nga opinioni i Komisionit të Venecias, për të cilat qeveria dhe partitë ranë dakord.

E treta është pjesëmarrja e vëzhguesve në zgjedhjeve. Janë ftuar vëzhguesit, por nga ana jonë ne do të ndihmojmë që vëzhguesit të vijnë, të jenë të pranishëm. Garanci të mjaftueshme ofrohen në sistem. Për blerjen e votës do të shohim, nëse do të ketë veprime në terren. Ne duam që ligji të zbatohet me fuqi të plotë. Duam të shohim që të gjitha përpjekjet të bëhen nga ana e organizatorëve të zgjedhjeve kundër blerjes së votës”, deklaroi Varhelyi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat