Nga Brukseli në Tiranë, pse Rama “mbajti peng” dërgesën e vaksinave nga “Pfizer”

Shqipëria

Nga Brukseli në Tiranë, pse Rama “mbajti peng” dërgesën e vaksinave nga “Pfizer”

Më: 2 mars 2021 Në ora: 10:32
Edi Rama

Mbërrin dërgesa e tretë me vaksinat nga “Pfizer”. Pas “lojës” së Ministrisë që do të shtyhej me 24 orë mbërritja e vaksinave, mbrëmjen e së hënës në aeroportin “Nënë Tereza” kanë mbërritur kutitë me 15 210 dozat nga “Pfizer”.

Ky nuk do të ishte kurrsesi një rast i humbur për Kryeministrin Rama që nga Brukseli është gjendur në Tirane për të pritur dërgesën e radhës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka qenë në komunikim të vazhdueshëm për transportin e vaksinave “Pfizer” dhe falë përpjekjeve intensive, pritet të mbërrijnë në Shqipëri 15,210 dozat e lajmëruara. Brenda muajit mars do të përmbyllet edhe mbërritja e 40 mijë dozave nga “Pfizer”. Së paku kjo është premtuar nga qeveria. Ndërkohë në 10 ditët e para të këtij muaji, siç bëri me dije edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, pritet të mbërrijnë edhe 14 mijë doza të tjera nga kompania “Astra Zeneca”.

Me mbërritjen e kësaj vaksine pritet të nis edhe vaksinimi i personave nën 65 vjeç. Kjo për vet faktin që kjo vaksinë nuk mund të aplikohet te personat mbi këtë moshë, pra mbi 65 vjeç, për shkak te shkallës se ulët të efektshmërisë.

VAKSINAT

Ndërkohë dje, sipas Ministrisë, janë kryer vetëm 800 doza vaksine. Paralelisht me personelin shëndetësor po vijohet edhe me vaksinimin e personave mbi 80 vjeç. “Procesi i vaksinimeve po vijon sipas planit në qendrat e vaksinimit të përqendruar, me vaksinimin e personelit shëndetësor dhe grupmoshën +80 vjeç, sipas fashave të përcaktuara. Dje janë kryer 800 vaksinime anti-Covid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 14 295 vaksinime”.

FATALITETET

Muaji mars ka nisur po ashtu me një bilanc tragjik viktimash si pasojë e koronavirusit. Vetëm në harkun e 24 orëve kanë ndërruar jetë 20 persona të grupmoshave nga 48 deri në 85 vjeç. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 20 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 9 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Berati, 2 qytetarë nga Fieri, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Peqini, 1 qytetar nga Kurbini, 1 qytetar nga Rrogozhina, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Delvina, të moshave 48-85 vjeç”, kanë bërë me dije autoritetet. E rënduar ndërkohë vijon të jetë situata në spitalet COVID, ku aktualisht në Tiranë dhe rrethe po trajtohen 659 pacientë, 43 në terapi intensive, nga të cilët 11 pacientë janë të intubuar.

RASTET E REJA

Lidhur me rastet e reja, të hënën kurba ka shënuar zbritje. Ministria ka raportuar 764 persona të konfirmuar pozitivë, duke regjistruar ditën me numrin më të ulët të rasteve të reja që nga fillimi i këtij viti. Por në fakt ulja e numrit të të infektuarve e ka burimin në reduktimin e testeve, pasi shkalla e infeksionit vijon të jetë mbi 28 për qind. “Janë kryer 2714 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 764 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 310 raste në Tiranë, 35 në Librazhd, 33 në Shkodër, 28 në Tepelenë, 27 në Gjirokastër, nga 24 raste në Durrës, Elbasan, Kukës, 23 në Berat, nga 22 raste në Vlorë, Peqin, nga 20 raste në Kavajë, Kuçovë, 16 në Sarandë, 13 në Delvinë, nga 11 raste në Fier, Lezhë, 10 në Gramsh, nga 9 raste në Krujë, Korçë, nga 7 raste në Mirditë, Mat, nga 6 raste në Lushnjë, Bulqizë, Vorë, nga 5 raste në Has, Pukë, nga 4 raste në Kamzë, Përmet, nga 2 raste në Kurbin, Ura Vajgurore, Fushë-Arrëz, Selenicë, Dibër, Malësi e Madhe, Roskovec, nga 1 rast në Rrogozhinë, Belsh, Memaliaj, Kolonjë, Skrapar, Patos, Cërrik, Poliçan, Këlcyrë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 640 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 70 413 që nga fillimi i epidemisë”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat