'Do jem aktiv për ta bërë Shqipërinë zonjë'/ Një tjetër deputet largohet nga PS 'për t'u hapur rrugë të rinjve'

Shqipëria

'Do jem aktiv për ta bërë Shqipërinë zonjë'/ Një tjetër deputet largohet nga PS 'për t'u hapur rrugë të rinjve'

Më: 6 mars 2021 Në ora: 13:02
Sadi Vorpsi

Pas Vasilika Hysit dhe Besnik Barajt, një tjetër deputet i PS ka njoftuar se nuk do të kandidojë më "për t'u hapur rrugë të rinjve në parti".

Deputeti Sadi Vorpsi, përmes një postimi në Facebook, ka bërë me dije se do të fokusohet më shumë tek "familja dhe në angazhime të tjera private".

Edhe pse nuk do të kandidojë sërish, Vorpsi thotë se 'do të jetë po aq aktiv në fushatën e 25 Prilllit për mandatin e domosdoshëm të PS dhe Edi Ramës për t’i çuar gjer në fund punët e nisura e për ta bërë Shqipërinë zonjë'

“Të nderuar miq, mbështetës e dashamirës! Pas 4 vitesh kontribut si Prefekt i Qarkut Tiranë dhe 4 vitesh si deputet i Partisë Socialiste, kam vendosur t’ia kaloj stafetën prurjeve të reja për t’u fokusuar më shumë tek familja ime dhe në angazhime të tjera private. T’i sherbeja vendit dhe qytetit tim ka qenë nder dhe privilegj i jetës sime.

Partia Socialiste është jo vetëm shtëpia më e madhe politike, por dhe më përparimtarja e gjithëpërfshirësja. Edi Rama e transformoi nga një parti në opozitë të vështirë, në forcën vendimtare për qeverisjen dhe modernizimin e vendit.
Kam shijuar çdo moment përfaqesimin e komuniteve nga zemra e Tiranës, e më pas në Vorë e në Farkë dhe jam krenar për gjithçka kemi arritur së bashku. Edhe pse nuk do të kandidoj sërish, do të jem po aq aktiv në fushatën e 25 Prillit për mandatin e domosdoshëm të PS dhe Edi Ramës për t’i çuar gjer në fund punët e nisura e për ta bërë Shqipërinë zonjë.

Ju falenderoj nga thellësia e zemrës për të gjithë mbështetjen dhe mezi pres të bashkojmë forcat për fitoren e 25 Prillit. Juaji gjithmonë, Sadi”, shkruan ai.

Ditët e fundit, kryeministri Edi Rama njoftoi dy afrime surprizë në PS, Najada Çomon dh e Luljeta Bozon, ndërsa në rrjet pati debate pasi dy zonjat e nderuara, nuk ishin në kategorinë e të rinjve, siç motivohen largimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat