Teknologjia, në qendër të zhvillimit të hapësirave publike në Tiranë, Veliaj: Pas Piramidës, po transformojmë bibliotekat në funksion të të rinjve

Shqipëria

Teknologjia, në qendër të zhvillimit të hapësirave publike në Tiranë, Veliaj: Pas Piramidës, po transformojmë bibliotekat në funksion të të rinjve

Më: 6 mars 2021 Në ora: 16:25
Erion Veliaj

Teknologjia, e cila po zë vend gjithnjë e më shumë te gjenerata e të rinjve, është sot në qendër të zhvillimit të hapësirave publike në kryeqytet, veçanërisht bibliotekave, të cilat po transformohen gjithnjë e më shumë në funksion të teknologjisë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë ndarjes së çmimeve të konkursit “BiblioTech Challenge”, u shpreh se Tirana do të kthehet në qendrën e teknologjisë.

“Ne duam që Tirana të jetë një super hapësirë për teknologjinë. Një nga gjërat që po transformohet teksa flasim është Piramida e Tiranës, e cila do të jetë një hapësirë shumë më e madhe sesa Parku Olimpik, ku fëmijët mund të mësojnë si të kodojnë. Nëse gjenerata e prindërve tanë duhet të dinte rusisht që të ecte përpara në jetë, gjenerata ime duhet të dinte anglisht, kurse gjenerata juaj duhet të dijë gjuhët e kompjuterit sepse kjo është gjuha e së ardhmes”, u shpreh Veliaj.

Teksa ka përgëzuar talentet e reja të Tiranës të cilët prezantuan gjatë ditëve të konkursit idetë e tyre, Veliaj tha se Bibliotech me fokusin tek teknologjia po aq sa edhe libri, është biblioteka e së ardhmes.

“Ne kemi marrë nismën që bibliotekat t’i kthejmë në hapësira ku të mësojmë kodim dhe gjuhën e kompjuterit. Biblioteka në vitin 2021 nuk mund të jetë vetëm për libra, por do të jetë edhe një hapësirë ku organizata të ndryshme rinore, apo të fëmijëve, mund të mblidhen bashkë të zhvillojnë një aktivitet, të propozojnë një vendimmarrje të re. Bibliotech, me fokusin tek teknologjia, po aq sa edhe libri, është biblioteka e së ardhmes. Jam shumë i lumtur që bashkë me UNICEF-in kemi transformuar bibliotekën jo vetëm si një hapësirë librash, por si një hapësirë teknologjike. Jam po ashtu mjaft krenar që kemi sot 8 biblioteka në Tiranë. Plani është që të kemi 27, në të gjitha njësitë e Tiranës, sepse e ardhmja është e teknologjisë”, deklaroi më tej Veliaj.

Nga robotika tek librat digjitalë, idetë e të rinjve që morën pjesë në “BiblioTech Challenge” u vlerësuan nga juria profesioniste dhe në fund u ndanë disa çmime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat