“Turqia dhe Shqipëria do të vazhdojnë t’i thellojnë marrëdhëniet”

Shqipëria

“Turqia dhe Shqipëria do të vazhdojnë t’i thellojnë marrëdhëniet”

Më: 7 mars 2021 Në ora: 09:49
Murat Ahmet Yörük

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, është shprehur se Turqia dhe Shqipëria do të vazhdojnë t’i thellojnë marrëdhëniet midis tyre dhe se Turqia ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë në të gjitha fushat që ka pasur nevojë.

Në një intervistë në një program televiziv në Shqipëri, ambasadori Yörük foli mbi marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë, ndihmën e shtetit turk, investimet dhe çështje të tjera.

“Marrëdhëniet dypalëshe Turqi-Shqipëri, pa dyshim me pëlqimin e dy lidershipeve, nga dita në ditë janë në rritje dhe janë në përforcim. Pothuajse të gjitha institucionet e dy vendeve mike janë fokusuar tek përforcimi i këtyre raporteve, kështu që unë si ambasador i Republikës së Turqisë në Tiranë mund të them që vizita zyrtare e zhvilluar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Ankara është një vizitë më se kuptimplotë“, theksoi ambasadori Yörük.

Duke theksuar se në Ankara janë nënshkruar disa marrëveshje shumë të rëndësishme, ai përmendi edhe ndihmën e ofruar pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, ndërtimin e spitalit rajonal të Fierit që po vazhdon si dhe projektin për Xhaminë e Plumbit, për të cilën mes Turqisë dhe Shqipërisë është nënshkruar një protokoll bashkëpunimi për restaurimin e saj.

“Ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit tonë Erdoan, patjetër që ka një raport shumë të mirë miqësor. Presidenti ynë Erdoan është një personalitet tashmë shumë i njohur jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Këto raporte Turqi-Shqipëri nga pikëpamja e botëkuptimit tim janë më se normale. Turqia dhe Shqipëria tashmë janë miq të vjetër që kanë raporte dhe marrëdhënie shumë shekullore. Për momentin, Presidenti i Turqisë Erdoan dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po mundohen që raportet mes dy vendeve t’i kenë strategjike“, u shpreh ambasadori Yörük.

Pyetjes nëse e konsideron Turqia Shqipërinë të pastruar nga organizata terroriste FETO, ai iu përgjigj: “Në lidhje me këtë çështje shpreh keqardhjen time sepse nuk është aty ku duhet lufta ndaj kësaj organizate terroriste. Dhe nuk duhet të harrojmë që organizata FETO tashmë është një organizatë terroriste ndërkombëtare. Më 15 korrik (2016), në një tentativë për grusht shteti në Turqi, pas asnjë lloj hezitimi me armët kombëtare të prodhuara në Turqi kjo organizatë ka tentuar që të vrasë popullin turk, vëllezërit e tyre. Kështu që duhet të jemi në gjendje që të marrim përgjegjësi në lidhje me këtë organizatë për ta luftuar“.

“Kam parë që në Shqipëri lufta ndaj tyre pothuajse është përhapur tashmë jo vetëm nëpërmjet institucioneve dhe organizatave civile, por edhe populli po reagon kundër kësaj organizate (FETO)”, tha ambasadori turk.

Ai theksoi më tej se “Në Shqipëri, qeveria shqiptare dhe të gjithë organizatat dhe shoqatat civile që janë aktive, kanë bërë një deklaratë të përbashkët kundër kësaj organizate terroriste FETO. Anëtarët e kësaj organizate terroriste FETO tashmë ashtu siç ishin në Turqi, pothuajse në të gjithë vendet e tjera mike kanë depërtuar thuajse në të gjitha strukturat e shtetit. Unë dua të sugjeroj që qeveria shqiptare dhe publiku shqiptar të zgjohet nga gjumi përballë këtyre”– u shpreh ambasadori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat