Fushata e Agron Shehajt në Tiranë, ish-deputeti i PD zhvendoset nga Vlora në njësinë 5 dhe 7

Shqipëria

Fushata e Agron Shehajt në Tiranë, ish-deputeti i PD zhvendoset nga Vlora në njësinë 5 dhe 7

Më: 7 mars 2021 Në ora: 13:36
Agron Shehaj

Beteja kryesore në zgjedhjet e 25 prillit do të jetë në Tiranë, ku numri i mandateve është edhe më i madh.

Ish-deputeti demokrat Agron Shehaj nga Vlora është zhvendosur në njësitë 5 dhe 7 në kryeqytet ku kërkon votën e qytetarëve për të marrë një mandat.

Agron Shehaj iu bashkua Partisë Demokratike 4 vite më parë për të kryesuar listën e qarkut Vlorë, por sot pas katër vitesh Shehajt i është besuar koordinimi elektoral në dy zona të nxehta në Tiranë, si njësia 5 dhe 7.

Fushata elektorale ende nuk ka nisur zyrtarisht, por partitë kanë ndezur motorët në terren për të marrë votën e qytetarëve në 25 prill.

Në kushtet kur pandemia kufizon grumbullimet, Agron Shehaj ka zgjedhur që fushatën në këto dy njësi ta realizojë duke i takuar banorët në lokale apo mjedise të tjera ku ata ndodhen.

Pavarësisht ndalimit të grumbullimeve, Shehaj deklaron se kjo nuk e ka penguar të takohet drejtpërdrejtë me qytetarët.

 “Takimet bëhen atje ku janë qytetarët, unë shkoj atje ku janë qytetarët. Nëse janë në kafe shkoj në kafe, nëse janë në rrugë shkoj në rrugë, nëse janë në park shkoj në park,” – u shpreh ish-deputeti i PD-së, Shehaj.

Ndryshe nga qarku i Vlorës, Shehaj e shikon Tiranën si qark ku ka më shumë mundësi për të bindur të pavendosurit.

 “Në Tiranë përqindja e elektoratit gri është shumë e madhe, ne mund të bindim njerëzit, kemi hapësira. Elektorati nuk është i ndarë majtas djathtas dhe nuk varet nga ideologjitë po është i gatshëm të dëgjojë propozimet dhe ti vlerësoj njërëzit dhe programet,” – tha Agron Shehaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat