Sot afati i fundit, PS dhe Opozita i japin “dorën e fundit” listave të kandidatëve

Shqipëria

Sot afati i fundit, PS dhe Opozita i japin “dorën e fundit” listave të kandidatëve

Më: 8 mars 2021 Në ora: 06:51
Ilustrim

Mesnata e sotme shënohet afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 25 prillit.

Kur kanë mbetur edhe rreth 24 orë nga zyrtarizimi, liderët e shumicës dhe opozitës po u japin dorën e fundit listave për ekipin garues për Kuvendin e ri.

Deri tani, ajo që dihet e sigurtë është përfshirja në listat e PS të mjekes Najada Çomo dhe inxhinieres Luljeta Bozo, ndërsa dihet edhe moskandidimi I Vasilika Hysit, Besnik Barajt, Alfred Pezës, Reme Lalës dhe ish prefektit të Tiranës Said Vorpsi.

Nga ana tjetër, koalicioni opozitar dhe lideri i saj Lulzim Basha po i përdor këto orë të fundit për takime me drejtuesit e qarqeve për të vendosur emrat dhe pozicionin e kandidatëve në secilën zonë të vendit.

Deri më tani janë më shumë se 35 emra të konfirmuar si kandidatë për shkak të funksioneve që ata kanë marrë më parë, por dhe emrat e aleatëve që do të jenë pjesë e listës së PD-së.

Pjesa më e madhe e listës së Tiranës tashmë është e fiksuar, pasi aty do të garojë vetë Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, dhe kryetarët e Partive Aleate  Fatmir Mediu, Dashamir Shehi dhe Shpëtim Idrizi.

Të renditur në pozicione fituese në këtë listë do të jenë edhe 8 kordinatorët  politikë të Tiranës.

Edhe LSI nuk i ka lënë surprizë listën e saj të kandidatëve për Qarkun e Tiranës, ku ka përqëndruar figurat më të rëndësishme, si Përparim Spahiu, Erisa Xhixho, Petrit Vasili, Edmond Haxhinasto, Floida Kërpacin, Edmond Haxhinaston, Silva Cakaj, Besnik Jakaj apo Brisida Shehaj.

Ndërkohë sot nuk mungoi as mesazhi i ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila përsëriti thirrjen drejtuar liderëve politikë në vend që mos përfshijnë në lista personazhe problematike.

“Nesër është afati i fundit që partitë të paraqesin listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit. SHBA ka qenë jashtëzakonisht e qartë në lidhje me përgjegjësinë e udhëheqësve për të siguruar kandidatë të pastër, duke përfshirë në lidhje me ligjet shqiptare dhe emërtimet nga Sekretar i Shtetit (referuar personave të futur në listën e zezë)“, shprehej ndër të tjera diplomatja amerikane.

Në zgjedhjet e kaluara krerët e partive politike e kanë lënë dorëzimin e listave në KQZ në minutat e fundit. Shpresojmë që e njëjta gjë të mos ndodhë edhe sot…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat