Veliaj: Krenar që 70% e stafit dhe 50% e Këshillit përbëhet nga zonja dhe zonjusha

Shqipëria

Veliaj: Krenar që 70% e stafit dhe 50% e Këshillit përbëhet nga zonja dhe zonjusha

Më: 8 mars 2021 Në ora: 20:44
Erion Veliaj

70% e stafit të Bashkisë së Tiranës dhe 50% e anëtarëve të Këshillit Bashkiak janë sot zonja dhe zonjusha.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, teksa bashkëbisedoi me disa prej përfaqësueseve të profesioneve më të spikatura nga institucionet e varësisë së Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ndihet krenar për çdo punë që është bërë në qytet.

“Jam shumë krenar që 70% e stafit tonë janë gra dhe vajza. Shumica e vendimmarrëseve janë gra në Këshillin Bashkiak, ashtu si edhe shumica e drejtoreshave, që kanë përgjegjësinë për të marrë vendime të rëndësishme. Kjo shpjegon edhe faktin pse na kanë ecur punët fjollë këto vite, por unë them se mund ta rrisim akoma më shumë, sepse gjykoj që qytetit, sidomos kryeqytetit, i takon të japë modelin për të tjerët,” u shpreh Veliaj.

Duke u ndalur në specifikën e veçantë të transformimit të dukshëm në secilën nga këto drejtori, ndryshime që mbajnë emrat e zonjave që i kanë drejtuar, apo që i janë shtuar stafit, Veliaj veçoi transformimin e Liqenit të Tiranës, të Farkës, por edhe shtimin e parqeve dhe mjediseve rekreative e ndriçimit në kryeqytet.

“APR, e cila drejtohet nga një grua, ka qenë historia jonë e suksesit. Liqeni, deri dje i zaptuar, është sot realisht një xhevahir i qytetit. Sot kemi mbi 75 parqe dhe kënde lojërash në blloqet e pallateve. Kemi pasur një transformim total të qytetit edhe kur bëhet fjalë për ndriçimin. E gjetëm Tiranën me 30% ndriçim dhe sot e kemi çuar në mbi 90% ndriçim,” tha Veliaj, duke shtuar se “ky staf ka ngritur një standard nën të cilin nuk mund dhe nuk duhet të zbresë më askush”.

Kryebashkiaku vlerësoi edhe punën e bërë me konviktet e reja te UBT, tek Mjekësia, apo Inxhinieria, po ashtu të zaptuara më parë, ndërsa sot po ringrihen me standarde evropiane, siç do veprohet edhe me konvikte të tjera në Qytetin Studenti. Veliaj tha se ndihet krenar me shërbimin zjarrfikës, si dhe me Policinë Bashkiake, ku shtimi i grave e vajzave i ka bërë të dy këto institucione më njerëzore.

Veliaj në fund shpërndau certifikata mirënjohje për disa prej personaliteteve më të spikatura femërore në secilën prej këtyre institucioneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat