VOA: Shqipëri: Kapet sërish kokainë në portin e Durrësit

Shqipëria

VOA: Shqipëri: Kapet sërish kokainë në portin e Durrësit

Më: 10 prill 2021 Në ora: 19:54
Foto ilustrim

Policia shqiptare zbuloi të shtunën afro 140 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar për kokainë në një konteiner në portin e Durrësit, që vinte nga Ekuadori për firmën “Masabi Fruits” në periferi të kryeqytetit.

Kokaina u zbulua në një pjesë të përshtatur në tavanin e konteinerit, gjatë një kontrolli të papritur.

Një nga përfaqësuesit e firmës, Klajdi Xibraku, u ndalua për t’u pyetur nga policia, ndërsa një përfaqësues tjetër Erion Peti, i tha medias në Tiranë se firma e tyre sillte fruta nga jashtë Shqipërisë prej 5 vjetësh dhe asnjëherë nuk kishte patur probleme.

Një tjetër operacion policor zbuloi më 1 prill në Portin e Durrësit një sasi droge prej 49 kilogramësh kokainë në një konteiner bananesh ardhur nga Ekuadori.

Ngarkesa me banana ishte porositur nga kompania “Ecoalmax”, administrator i së cilës është 72 vjeçari Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt, personit të arrestuar dhe dënuar me 14 vjet burg, për trafikun e 619 kilogramëve kokainë të zbuluara në shkurt të vitit 2018, në Portin e Durrësit, po në një konteiner bananesh i nisur dhe ai nga Ekuadori.

Selim Çekaj, është vënë në pranga nga policia, ndonëse ka mohuar të ketë lidhje me drogën e gjetur në ngarkesën e porositur nga kompania e tij, e cila kishte nisur aktivitetin, vetëm një muaj pasi u gjet sasia e madhe e kokainës, që çoi në arrestimin e të birit.

Raporti i fundit vjetor i Strategjisë ndërkombëtare të kontrollit të drogave, i publikuar nga Departameti amerikan i Shtetit, pak javë më parë vlerësonte se Shqipëria konsiderohet ende si “një vend burim i kanabisit dhe një bazë për grupet e krimit të organizuar që lëvizin lëndët narkotike nga vendet e burimit në tregjet evropiane. Shtetasit shqiptarë janë shumë të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike në të gjithë Europën”, nënvizonte raporti./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat