Basha: Refuzojmë dhunën, por mbrojmë demokracinë me çdo çmim

Shqipëria

Basha: Refuzojmë dhunën, por mbrojmë demokracinë me çdo çmim

Më: 21 prill 2021 Në ora: 20:56
Lulzim Basha

Deri më tani kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Elbasan, ku humbi jetën një person dhe mbetën të plagosur katër të tjerë, por nga Durrësi teksa po zhvillonte një takim elektoral tha se asnjë bandë apo shitblerje votash nuk do ta ndalë ndryshimin që po vjen.

Ai u shpreh se PD-ja e refuzon dhunën, por shtoi se demokratët do ta mbrojnë demokracinë me çdo çmim.

“Kudo buçet një thirrje, një vendim, bashkë për ndryshim. Këtë e di fare mirë edhe ai që për 8 vite ju la në baltë. Është shkaktari kryesor i vuajtjeve të nënave dhe baballarëve tanë ndaj ditëve të fundit i është vërsulur me mariftetet e vjetra, por e ka kot. Le ta shohin njeri tjetrin në sy, shikojeni fuqinë, shikojeni energjinë e pandalshme të ndryshimit që po vjen. Nuk ka forcë ta ndalë, nuk ka banda ta ndalin, nuk ka korrupsion ta ndalë, nuk ka shitblerje votash ta ndalë. Ne e refuzojmë dhunën por do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim”, tha Basha.

Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë këtë të mërkurë pas një përplasjeje me armë që ndodhi në lagjen “5 Maji” të qytetit të Elbasanit. Nga ngjarja kanë mbetur të plagosur katër persona mes tyre edhe një police. Ndërkohë është vetëdorëzuar autori i ngjarjes, Arbër Papleka, i cili ka deklaruar para autoriteteve se e ka kryer vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat