Rama në mbylljen e fushatës në Tiranë: Ata janë rruga e së shkuarës, PS është e ardhmja

Shqipëria

Rama në mbylljen e fushatës në Tiranë: Ata janë rruga e së shkuarës, PS është e ardhmja

Më: 22 prill 2021 Në ora: 20:26
Edi Rama

Partia Socialiste e Shqipërisë ka përmbyllur këtë të enjte fushatën e saj elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në qarkun Tiranë.

Kryeministri i vendit, Edi Rama përpara kandidatëve për deputetë, fillimisht fjalën e hapi duke përgëzuar punën e patronazhistëve, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj kundërshtarëve politikë në lidhje me ngjarjen e djeshme në Elbasan.

Ai tha se diferenca mes PS dhe partive të tjera është shumë e thellë dhe për këtë kërkoi nga mbështetësit që me 25 prill të votojnë selinë rozë.

“Pasi e gjitha Shqipëria u trondit nga humbja e një jete, morën përsipër t’u thonë shqiptarëve se po, ata e kanë “një grup të armatosur të shpërndarë kudo”. Unë besoj se sot kush ende nuk e ka kuptuar diferencën e madhe mes jush dhe atyre, duhet t’i vërë gishtin kokës fort për fëmijët e tij”, tha Rama.

Për shefin e qeverisë, Partia Socialiste është dera e të ardhmes së Shqipërisë dhe kjo është arsyeja pse qytetarët duhet të zgjedhin partinë që ai drejton.

“Ata janë rruga e së shkuarës, Partia Socialiste e Shqipërisë është dera e të ardhmes. Në 25 prill është dita jo për të bashkuar kënaqësitë tona, por për të bashkuar të gjithë pakënaqësitë tona dhe për t’i thënë  njëri-tjetrit se ka plot arsye për të qenë të pakënaqur me ata që kemi bërë”, theksoi Rama.

Ai nuk kurseu as Presidentin e Republikës, Ilir Meta, për të cilin tha se është “turpi i të gjithë shqiptarëve”.

“Në 25 prill çojeni në shtëpi Ilir Metën. Boll, mjaft! Ilir Meta është turpi ynë, i të gjithë popullit shqiptar. Është turpi më i madh që Shqipëria ka mundur të ketë atje në krye. Ai turp duhet zhbërë më 25 prill dhe turp kush voton Ilir Metën. Ka vetëm një numër, që jeni ju, është numri 12.Numri 12 jeni ju”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat