​Spiropali: Thellojmë bashkëpunimin me Kosovën, opozita ka nxjerrë armët

Shqipëria

​Spiropali: Thellojmë bashkëpunimin me Kosovën, opozita ka nxjerrë armët

Më: 23 prill 2021 Në ora: 17:17
Elisa Spiropali

Bashkëpunimi rajonal, sidomos me Kosovën, mbetet një nga pikat më të rëndësishme në programin qeverisës të Partisë Socialiste që të dielën kërkon mandatin e tretë. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Qeverinë e Shqipërisë, njëherit kandidate për deputete në qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali, tha se punët e mira që po bën Qeveria Rama II nuk duhet të ndalen në mes. Ajo akuzon opozitën se ka nxjerrë armët dhe po bën thirrje për të vrarë njerëz, ndërsa shpreh keqardhje për retorikën e presidentit Ilir Meta.

Spiropali, thotë se takimet e përvitshme të Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës janë shembull i mirë i bashkëpunimit, porse i njëjti duhet akoma edhe më shumë të thellohet.

Sipas saj, në programin për mandatin e tretë parashihet krijimi i një akademie të përbashkët të diplomacisë ku diplomatë nga Shqipëria e Kosovës të trajnohen dhe të flasin një gjuhë për interesat e të gjithë shqiptarëve.

Spiropali: Shqipëri-Kosovë, duhet të thellohet bashkëpunimi

“Bashkëpunimi rajonal ka qenë gjithmonë një priroitet për ne, sepse Shqipëria është faktori më i fortë i stabilitetit në rajon, ka qenë gjithmonë, dhe patjetër që me Kosovën është dyfishe, trefishe edhe dëshira, edhe përgjegjësia për të bashkëpunuar. Takimet tona të përvitshme të dy qeverive janë shembull i mirë, por që ne duhet ta thellojmë këtë bashkëpunim duke vënë në jetë programe dhe marrëveshje që kemi firmouar në të gjitha fushat dhe kanë qenë lajme të mira dhe kanë prodhuar lajme të mira takimet e dy qeverive sepse janë konkretizuar në marrëveshje bashkëpunimi, në arsim, shëndetësi, rend e të tjera, por besoj ka ardhur koha që ky impakt të shihet dhe ne besojmë që për shembull në fushën e diplomacisë, krijimi i një akademie të përbashkët të diplomacisë që është ën programin tonë për katër vitet e ardhshme ku diplomatë nga Shqipëria dhe nga Kosova të trajnohen në të njëjtën akademi në mënyrë që të flasim me të njëjtën gjuhë dhe të lobojmë fuqishëm si për njohjen e Kosovës ashtu edhe për interesat e shqiptarëve në tërësi”, deklaroi Spiropali.

Spiropali deklaron se Shqipëria e 2021 ka ndryshuar shumë që nga 2013 kur PS erdhi në pushtet. Sipas saj, arsimi, shëndetësia, infrastruktura, rendi, financat, dhe të gjithë sektorët e tjerë janë shumë më mirë krahasuar para më shumë se 7 vite e gjysmë.

Ajo pranon se mandati i dytë ka qenë shumë i vështirë për shkak të tërmetit dhe pandemisë, por thotë se i kanë përballur shumë mirë duke përmendur rindërtimin e shtëpive si dhe vaksinimin e qytetarëve e vaksinat antiCOVID.

Spiropali: Mandati i dytë ka qenë i vështirë për shkak të tërmetit dhe pandemisë

“Mandati i dytë ka qenë mandat i vështirë, ne jemi goditur nga një tërmet fatal më 26 nëntor të 2019 i cili ka lënë pasoja të rënda në vend dhe nga një pandemi e cila është përballur me shumë energji nga strukturat tona spitalore dhe nga sistemi shëndetësor në tërësi. Jemi në mes të një procesi rindërtimi total të të gjitha shtëpive të dëmtuara dhe infrastrukturës rrethuese, sot kantiari më i madh ekonomik dhe social në vend është procesi i rindërtimit, 13 mijë apartamente të reja, në lagje krejtësisht të reja, në 11 bashki të vendit dhe tre qarqe, 5 mijë njësi individuale banimi, pra shtëpi që po ndërtohen dhe po iu dhurohen qytetarëve nga qeveria, 160 shkolla të reja dhe infrastrukturë tjetër rrethuese e cila prek gati 500 mijë qytetarë për shkak të investimeve që po bëjmë në lagje, në bashki siç është ajo në Laç apo Fushë Krujë, në Durrës, në Vorë, Kamëz, Kavajë, Tiranë e kudo tjetër, është një proces i madh i cili nuk mund të mbesë në mes por duhet të shkojë deri në fund në mënyrë që në fillim të 2022 ne të mos kemi asnjë shenjë të tërmetit në Republikën e Shqipërisë. Pandemia, sot jemi krenarë që mbi 350 mijë qytetarë të Republikës së Shqipërisë janë vaksinuar, grupe të veçanta, si mësuesit, apo infermierët, mjekët, gazetarët, policë e të tjerë por edhe moshat madhore të cilët janë vaksinuar dhe vazhdon procesi i vaksinimit dhe ne shpresojmë që deri në qershor të kemi vaksinuar 500 mijë qytetarë”, u shpreh ajo.

Ditëve të fundit fushata elektorale është tensionuar për shkak edhe të një ngjarje të rëndë që ndodhi në Elbasan ku humbi jetën një person dhe tre të tjerë u plagosën. Spiropali kërkon nga Prokuroria që të nisë hetime në lidhje edhe me deklaratat që sipas saj bëjnë thirrje për dhunë.

Spiropali: Opozita ka nxjerrë armët

“Nuk është ashpërsuar retorika, kanë nxjerr armët dhe po e thonë hapur në deklarata publike kriminale që kanë ngritur grupe të strukturuara për të vrarë njerëz. Sot, drejtuesi i fushatës në Dibër, kandidati i parë i Partisë Demokratike, ka deklaruar se në rast se ju keni dyshime që dikush po lëviz n lagjen tuaj apo kudo dhe është kundërshtar politik atëherë keni të drejtën ta vrisni, kjo deklaratë është bërë një orë më parë dhe ka marrë dhenë sot n Shqipëri. Ne besojmë që jo vetëm ka ikur koha e një retorike të tillë kriminale e një qasje të tillë kriminale ndaj fushatave politike por ka ardhur koha që këta njerëz të mbajnë përgjegjësi penale për atë që bëjnë. Nga drejtuesit më të lartë e deri të zbatuesit më të vegjël dhe i bëjmë thirrje prokurorisë që të hetojë ngjarjen e rëndë, shumë të rëndë në Elbasan, ku humbi jetën një qytetar dhe u plagosën tre të tjerë dhe po ashtu të hetojë atë që përdorin gjuhën e dhunës për të nxitur qytetarët për të vrarë”, vijoi ajo.

Ministrja Spiropali shpreh keqardhje edhe për deklaratat e presidentit Ilir Meta për të cilin thotë se ka marrë peng institucionin e presidentit.

Ajo shprehet se Meta nga pozicioni i presidentit po helmon opinionin publik dhe po bën fushatë të hapur.

Spiropali: Ilir Meta si president po bën fushatë të hapur

“Nuk më befason se ne e njohim Ilir Metën, presidentin e Republikës që për fat të keq e ka marrë peng atë institucion dhe nga pozicioni më i lartë, nga nderi më i lartë që i ka bërë shteti shqiptar duke e bërë president, ai përdor pozicionin e tij për të helmuar opinionin publik dhe për të bërë fushat t hapur. Presidenti i Republikës është përfaqësuesi i sovranitetit të popullit dhe unitetit të popullit dhe duhet të jetë përfaqësuesi më i lartë i kësaj Republikë, për fat të keq është kthyer në turpin më të madh të kësaj Republike”, përfundoi Spiropali.

Partia Socialiste e Shqipërisë dhe kryeministri Edi Rama po kërkojnë nga votuesit shqiptarë mandatin e tretë qeverisës në zgjedhje që do të mbahen këtë të diele.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat