Presidenti kërkoi të shprehej në 10 maj/ Nis mbledhja e Komisionit të Ligjeve për shkarkimin e Metës

Shqipëria

Presidenti kërkoi të shprehej në 10 maj/ Nis mbledhja e Komisionit të Ligjeve për shkarkimin e Metës

Më: 6 maj 2021 Në ora: 11:43
Ilir Meta

Ka nisur rreth orës 11:15 mbledhja e radhës së Komisionit të Ligjeve për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja tha se Presidenti i Republikës është vënë në dijeni nga kryetari i Kuvendit lidhur me kërkesën e një grupi deputetësh që kërkojnë shkarkimin e tij. Në përgjigjen e dhënë më herët presidenti Ilir Meta tha se i është lënë kohë e pamjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve.

Kreu i shtetit u shpreh i gatshëm të shprehet në datën 10 maj në Komisionin Hetimor, ndërsa deklaroi se nuk mund të anulojë axhendën e ditës së sotme.

Në fjalën e mbajtur sot Manja tha: “Ky Parlament akoma nuk ka hyrë në 4 mujorin e fundit të mbarimit të kësaj legjislature. Kështu që kërkesa e 49 deputetëve që kërkojnë fillimin e procedurës për shkarkimin e presidentit nuk ka hyrë në fazën e katër muajve të fundit, siç e kërkon ligji për Komisionet Hetimore. Kuvendi nesër në seancë plenare do të votojë kërkesën e këtij komisioni, për ngritjen ose jo të komisionit hetimor“.

“Presidentit jo se nuk i ka mjaftuar koha. Por presidenti duke kërkuar datën 10 maj kërkon që ta nxjerrë jashtë afatit. Presidenti ka tentuar të pengojë qëllimisht punën e Komisionit të Ligjeve dhe Kuvendit“, shtoi ai.

9 maji është data e fundit kur Kuvendi mund të ngrejë Komisione Hetimore, pasi ligji përcakton që nuk mund të ngrihen komisione 4 muaj para mbarimit të afatit të Parlamentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat