Shkarkimi i Metës, fillon punën komisioni hetimor, miratohet plani paraprak

Shqipëria

Shkarkimi i Metës, fillon punën komisioni hetimor, miratohet plani paraprak

Më: 8 maj 2021 Në ora: 12:43
Komisioni Hetimor ndaj Metës

(E plotësuar 13:54) - Komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta nisi të shtunën punën, me kosntituimin e tij dhe miratimin e programit të punës. Objektivi përcaktohet nga vendimi i parlamentit për ngritjen e këtij komisioni, i iniciuar me kërkesën e deputetëve, tha kryetari i këtij komisioni Alket Hyseni. Ndërsa deputetja e PS, Klotilda Bushka, u zgjodh sekretare e komisionit hetimor.

Ngritja e komisionit hetimor u votua me 97 vota pro dhe 6 kundër. 49 deputetë të mazhorancës iu drejtuan më herët Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për shkarkimin e kreut te shtetit. Sipas tyre, “në abuzim dhe tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore si dhe në kushtet e shkeljes së rëndë dhe flagrantë të Kushtetutës, Ilir Meta para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore të 2021, me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë”, janë pretendimet e deputeteve socialiste kundër Metës.

Zhvillohet mbledhja e parë e Komisionit Hetimor ndaj Metës

Është zhvilluar mbledhja e parë e Komisionit Hetimor të ngritur ndaj presidentit Ilir Meta, për shkelje të Kushtetusët, me pretendimet e Partisë Socialiste se presidenti, ka bërë thirrje për dhunë në fushatën zgjedhore të 25 prillit.

Ky komision është ngritur me firmën e 49 deputetëve dhe pritet të hetojë deklaratat dhe veprimtarinë e Metës, sipas pretendimeve të mazhorancës.

Pjesë e këtij komisioni, do të jenë nëntë anëtarë. Kryetari, do të jetë deputeti socialist, Alket Hyseni. Zëvendëskryetar, do të jetë përfaqësuesi i opozitës parlamentare, Myslym Murrizi. Sekretare e komisionit ndërkaq, do të jetë socialistja Klotilda Bushka.

Anëtarët e komisionit, do të jenë: Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka dhe Arlind Çarçani.

Zëvendësues, do të jenë anëtarët Ermonela Felaj, Xhemal Qefaliaj dhe Eugen Bojaxhiu.

Në fjalët e para të mbajtura, është dakordësuar se opinioni i Komisionit të Venecias, do të merret parasysh në seancat e mbledhës së këtij organi.

Gjithashtu, është kërkuar nga deputetja Vasilika Hysi, se mediat dhe presidenti, duhet të vihen paraprakisht në dijeni mbi mbledhjet që do të zhvillohen.

Prononcimet ndërkaq nuk do të bëhen nga anëtarët e komisionit. Pamjet filmike të presidentit dhe thirrjeve të tija janë kërkuar si prova shqyrtimi.

Ky komision i posaçëm, do t’i paraqesë Kuvendit një raport. Ky i fundit, nëse e voton shkarkimin e Metës, e çon çështjen më pas në Gjykatën Kushtetuese.

Kushtetuesja, është ajo që ka vendimin përfundimtar mbi fatin politik të presidentit, nëse ai qëndron në detyrë apo jo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat