Kompania shkurton 20 punonjës, organizohet protestë/ Sindikata: U premtua që s’do hiqej asnjë specialist

Shqipëria

Kompania shkurton 20 punonjës, organizohet protestë/ Sindikata: U premtua që s’do hiqej asnjë specialist

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 15:11
Kompania shkurton 20 punonjës, organizohet protestë

Dhjetëra punonjës të kompanisë “Kurum International” kanë dalë në protestë pasi janë hequr nga puna 20 persona, ku sipas tyre është bërë në mënyrë të padrejtë.

Në një deklaratë të sindikatës, theksohet se në vitin 2013, kur u privatizuan 4 Hecet , Ulëz-Shkopet dhe Bistrica 1&2, me vlerën 110 mln euro kanë qenë në punë 162 punonjës. Nga ajo periudhë e deri më sot janë shkurtuar 120 punonjës specialistë dhe aktualisht punojnë 43 punonjës në këto dy Hece.

Ata kërkojnë që kompania ta anulojë reformën, të mos pushohet asnjë punonjës, vetëm kush mbush moshën për të dalë në pension.

Sipas tyre, premtimi i kompanisë ka qenë që nuk do të largohej asnjë specialist nga puna, vetëm kush të dilte në pension.

“Kompania Kurum International sh.a ka ndërmarrë një inisiative për të shkurtuar afërsisht 20 punonjës ( 2 faza me nga 10 punonjës, kjo për arsye të evitimit të pushimit kolektiv), për arsye të rehabilitimit të Heceve Ulëz Shkopet. Ju bëjmë me dije se në vitin 2013, kur u privatizuan 4 Hecet , Ulëz-Shkopet dhe Bistrica 1&2, me vlerën 110 mln euro ( kjo vetëm si vlerë e rimbursimit të TVSH që kishte shteti detyrim ndaj kompanisë Kurum ), kanë qenë në punë 162 punonjës. Nga ajo periudhë e deri më sot janë shkurtuar 120 punonjës specialistë dhe aktualisht punojnë 43 punonjës në këto dy Hece. Në kontratat kolektive të ripërsëritura nga kjo kompani, nuk është shkruar dhe formuluar që punonjësit specialistë të largohen nga puna në mënyrë të padrejtë dhe selektive. Premtimi i kompanisë ka qene që” nuk do të largohej asnjë specialist nga puna, vetëm kush të dilte në pension”. Kohët e fundit kompania Kurum International sh.a pretendon që ka rehabilituar të dy Hecet Ulez- Shkopet, ku në fakt rezulton që vetëm Heci Ulëz është përmirësuar nga ana e teknologjisë së marrjes dhe dhënies së informacionit. Ndërsa investimi për remont capital dhe përmirësim teknologjik, ka qenë kryer disa muaj se të privatizohej, nga firma Austriake “Andris” , me financime të KESH sh.a dhe Bankës Europiane për rindërtim dhe zhvillim, kredi të cilat dhe sot paguhen nga KESH sh.a. .

Federata Sindikatave e Punonjësve të Industrisë së Shqiperisë (FSPISH), si përfaqësuese e punonjësve të këtyre Heceve, i ka kërkuar kompanisë  Kurum International që ta anulojnë reformën, të mos pushohet asnjë punonjës, vetëm kush mbush moshën për të dalë në pension. Të gjithë këta punonjës kanë mbi 30 vite punë në këto Hece, ku një pjesë e tyre kanë mbi 5 – 12 vjet për të mbushur moshën e pensionit. Theksojmë se këto Hece janë i vetmi burim të ardhurash dhe mundësi punësimi në këto zona.

Ne kemi filluar një protestë paqësore të mbeshtetur në Kodin e Punës së RSH-s, në Kapitullin mbi grevat, në kushtetutën e RSH-s, si dhe në Konventat ndërkombëtare te ILO-s të ratifikuara nga shteti Shqiptar, mbi të drejtat e tubimit dhe lirinë e asocimit. Protesta është në ditën e saj të gjashte, dhe do të vazhdojë pa afat, deri në përshkallezimin e saj, greva e urisë. Deri më tani nga ana e kompanisë kemi marrë reagime negative, presione dhe  kërcënime për punonjësit si dhe për përfaqësuesit sindikalë në kompani, duke i pezulluar nga puna për arsye të aktivitetit sindikal (greva). Kjo është në kundërshtim të plotë me çdo lloj ligji dhe konvente për të drejtat dhe liritë e organizimit sindikal”, shkruan sindikata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat