Shefi i PS-së kritikon Policinë: Përgjegjëse për ngjarjen në Elbasan, s’mori masa

Shqipëria

Shefi i PS-së kritikon Policinë: Përgjegjëse për ngjarjen në Elbasan, s’mori masa

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 14:43
Taulant Balla

Kreu i Grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit ka kritikuar Policinë e  Shtetit, duke thënë se duhet të kishte marrë masat në kohë dhe të parandalonte ngjarjen në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerrin Xhuvani.

Sipas Ballës, Policia e Shtetit duhet të ngrihet në pritshmëritë që kanë qytetarët për të luftuar krimin në këtë mandat të tretë qeverisës të socialistëve.

“Atë ditë Ilir Meta vetëm 3-4 orë përpara ngjarjes deklaronte dhe bënte thirrje të mprehim thikat, kosoret, lopatat. Dhe pak orë më pas një organizatë kriminale e ngritur, e mbështetur, e pranuar publikisht nga PD, ekzekutoi në qendër të qytetit të Elbasanit një qytetar autokton të Elbasanit, familja e nderuar Xhuvani, dhe që për fat të keq ende PD nuk është distancuar nga ky akt kriminal që mban tërësisht përgjegjësinë e tyre dhe të Ilir Metës në bashkëpunim si nxitës të dhunës dhe njerëzit e reduktuar mercenarë të PD si vrasës me pagesë.

E kam thënë se ajo që ndodhi në Elbasan ishte dhe një përgjegjësi e Policisë së Shtetit e cila nuk i mori masat në kohë, nuk parandaloi një akt kriminal teksa ishte njoftuar se në makinat e loguara të PD udhëtonin persona të armatosur dhe që për fat të keq Policia e Shtetit duhet të ngrihet në përgjegjësinë dhe pritshmërinë  e qytetarëve shqiptarë në këtë mandat tonë të tretin sepse ende nuk është aty ku unë do të kisha dëshirë ta shikoja Policinë tonë të Shtetit. Shpresoj që Policia e Shtetit të bëjë ringritje më të fortë në përballje me krimin”, u shpreh Taulant Balla nga foltorja e Parlamentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat