Pas rikonfirmimit të Lulzim Bashës, PD gati për zgjedhje në struktura! Ja çfarë pritet të ndodhë të premten në mbledhjen e kryesisë

Shqipëria

Pas rikonfirmimit të Lulzim Bashës, PD gati për zgjedhje në struktura! Ja çfarë pritet të ndodhë të premten në mbledhjen e kryesisë

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 14:42
Lulzim Basha

Rreth një javë pas rikonfirmimit në krye të Partisë Demokratike edhe për 4 vitet e ardhshme, Lulzim Basha ka thirrur në mbledhje ditën e premte kryesinë e PD-së.

Sipas njoftimit që numri dy ka shpërndarë tek anëtarësia e PD-së në rendin e ditës do të jetë analiza e rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit dhe caktimi i rendit të ditës për thirrjen e mbledhjes së kuvendit kombëtar.

“Të nderuar anëtarë të Kryesisë, ditën e premte, datë 18 Qershor 2021, ora 11:00, do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Partisë, me këtë Rend Dite: 1. Miratimi i metodologjisë së analizës në nivel qarku, dege, grupseksioni dhe seksione për masakrën zgjedhore të 25 prill. 2. Thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë më datë 17 korrik 2021 dhe miratimi i rendit të ditës së Kuvendit”, thuhet në mesazhin që numri dy i PD-së, Gazment Bardhi, ka dërguar anëtarëve të kryesisë së PD-së.

Në mbledhjen e paradites së të premtes kryesia e PD-së do të diskutojë në lidhje me metodologjinë që do të ndiqet për të analizuar rezultatin e çdo qarku madje duke hyrë më thellë në çdo qelizë të strukturave të PDsë, duke bërë analizën e rezultateve të degëve, grupseksioneve dhe seksioneve. Procesi i analizimit të rezultatit të zgjedhjeve pritet të zgjasë deri para datës 17 korrik kur partia më e madhe në opozitë do të mbledh edhe Kuvendin Kombëtar ku sipas burimeve pritet që të shpallet gara për të gjitha nivelet drejtuese të Partisë Demokratike duke filluar nga ato më të ulëtat në nivel lokal e deri te kryesia e PD-së dhe sekretariatet.

Kujtojmë që procesi i analizës së zgjedhjeve ishte paralajmëruar nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, që në mbledhjen e parë të kryesisë së PD pas zgjedhjeve të 25 prillit. Në fakt mandati i anëtarëve të kryesisë dhe sekretarëve të PD përfundon pas dy vitesh por në fakt duke analizuar edhe rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit do të propozohet që të ketë zgjedhje të mëhershme për strukturat më të rëndësishme të PD-së.

Kjo lëvizje e PD-së vjen në një kohë kur në Gjykatën Kushtetuese ndodhet edhe çështja për pavlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të vitit 2019 dhe në çdo rast Partia Demokratike duhet të jetë e përgatitur nëse shpallen zgjedhjet lokale apo qoftë edhe në ato bashki ku aktualisht nuk ka kryetar bashkie për shkak se i ka kapur ligji dekriminalizimit, ka ndërruar jetë si në rastin e Rrogozhinës, apo kanë dhënë dorëheqjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat