Mesatarisht 12 denoncime në ditë për dhunë në familje

Shqipëria

Mesatarisht 12 denoncime në ditë për dhunë në familje

Më: 19 qershor 2021 Në ora: 19:45
Foto ilustrim

Dhuna në familje po merr përmasa shqetësuese. Referuar të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit, rastet e denoncimeve në rang vendi, variojnë nga 10 deri në 12 brenda një dite.

Por a janë këto raste të denoncuara të dhunës, të vetmet?

“Sa më thellë të shkojmë në fshatrat e Shqipërisë, sa më në zona rurale të jemi, aq më të thella janë problematikat, shqetësimet dhe pamundësia për të dalë nga problematikat dhe vuajtjet që mund të kenë femrat në këto zona” – tha Helena Halilaj, pedagoge e shkencave sociale.

Referuar burimeve zyrtare, Tirana është qyteti që zë vendin e parë për nga numri i raportimeve të dhunës në familje. Viktima, në më shumë se 90% të rasteve, janë gratë. 

Këto raste përhapen më pas, sipas qyteteve më të populluara, Durrësi, Fieri, Elbasani, Shkodra dhe Vlora. Edhe Dibra është një tjetër qark që së fundmi ka shënuar rritje të numrit të konflikteve brenda familjes.

Por pse pikërisht Tirana ka numrin më të lartë të dhunës? Sipas Helena Halilaj është pikërisht pamundësia për t’u integruar për qytetarët e rretheve ajo që përbën problematikën kryesore.

“Janë më tepër çështjet ekonomike që ndikojnë në mosakordimin e marrëdhënieve mes familjarëve ose mes kryefamiljarit dhe bashkëshortes. Ne jetojmë në një shoqëri në të cilën kryefamiljari ka detyrat ekonomike dhe duhet t’i bëjë ato. Ne jemi gra të cilat kërkojmë të drejta të barabarta dhe më pas nuk e matim kontributin nëse e kemi ose jo të njëjtë në familje. Pastaj duket sikur metropoli na jep mundësi që ne të kemi pak më shumë liri të vepruarit dhe të sjellurit, e ndonjëherë ndoshta kjo e trondit pak individin ose njerëzit të cilët vijnë nga rrethet” – u shpreh Halilaj.

Vetëm në 5 muajt e parë të vitit 2021, janë regjistruar 10 viktima si pasojë e dhunës në familje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat