Hapja e negociatave, Rama: Shqipëria është gati, Brukseli nuk e ka të qartë

Shqipëria

Hapja e negociatave, Rama: Shqipëria është gati, Brukseli nuk e ka të qartë

Më: 20 qershor 2021 Në ora: 19:13
Edi Rama

Çelja e bisedimeve të vendit tonë me Bashkimin Evropian, pandemia dhe zgjedhjet parlamentare të prillit ishte në qendër të intervistës që zhvilloi kryeministri Rama me gazetaren Caroline de Camaret të "France 24."

I pyetur sa i përket integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Rama thotë se duhet pritur dinamika evropiane.

“Duhet thënë se në samitin para pandemisë, u vendos që të hapeshin bisedimet, më tej kjo u zgjat sepse duhej të merrej një vendim për të thirrur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Për fat të keq tashmë, unë u mësova të mos habitem më me atë që mund të ndodhë në Bruksel, sepse është një çështje e dinamikës së brendshme," u shpreh Rama.

Një pikë e rëndësishme sipas kryeministrit në rrugëtimin drejt BE-së është reforma në Drejtësi.

“Nëse Shqipëria nuk do të kishte probleme, sot do të ishim në BE. Prandaj ne kemi hyrë në këtë betejë për të reformuar drejtësinë. Nëse ish-kryeprokurori, dhe ish-personalitete të gjyqësorit dhe politikës dënohen është një sinjal i mirë për shtetin e të drejtës, prandaj ne vazhdojmë këtë proces negociatash, për të ndërtuar një shtet të së drejtës, një demokraci funksionale," tha Rama.

Sa i takon akuzës së ngritur nga opozita për patronazhistët, kreu i qeverisë përsëriti edhe një herë ato që ka thënë në mitingjet gjatë fushatës.

“Së pari, të dhënat dhe regjistri i gjendjes civile në Shqipëri ka qenë publik në internet përgjatë viteve. Së dyti, numri i kartave të Identitetit, nuk është personal. Është një numër që tregon që këtë kartë e ka ky person në shërbimin civil, por nuk është e dhënë sensitive," tha kryeministri.

Ndërsa Shqipëria ka çelur sezonin turistik, kryeministri përfitoi nga rasti që t’i bënte thirrje pushuesve francezë se kushdo që do të vizitojë Shqipërinë “mund të vijë pa teste, pa maska, gjithashtu nuk ka obligim për t’u karantinuar. Detyrimi i maskës është vetëm në ambiente të mbyllura por nuk ka kufizime që pengojnë turizmin," tha kreu i qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat