Kryegjyqtarja e Lezhës kallëzon kancelaren për shpërdorim detyre, Prokuroria për 10 ditë nxjerr dy herë të njëjtin vendim

Shqipëria

Kryegjyqtarja e Lezhës kallëzon kancelaren për shpërdorim detyre, Prokuroria për 10 ditë nxjerr dy herë të njëjtin vendim

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 10:05
Foto ilustrim

Dalja e një vendimi dy herë brenda pak ditësh për mosfillim hetimesh në lidhje me një çështje, ka vënë në alarm prokurorinë e Lezhës. Burime për News24 bëjnë me dije se bëhet fjalë për një kallëzim penal të bërë nga kryetarja e Gjykatës së Lezhës Ornela Naqellari, për kancelaren e këtij institucioni për shpërdorim detyre.

Pas verifikimeve, prokuroria ka vendosur mos fillim të procedimit penal, pasi sipas saj nuk janë konstatuar elemente të vepres penale, të cilat i pretendonte kryegjyqtarja e Lezhës dhe vendimi ju është dërguar paleve.

Por çuditërisht 10 ditë më vonë i njëjti vendim ka dalë sërish i vulosur dhe protokolluar nga prokuroria, pa dijeninë e prokurorit të çështjes. Pasi është konstatuar ky falsifikim nga ana e prokurorisë, kanë nisur menjëherë hetimet, pasi këto veprime dyshohet të jenë bërë për shkak se vendimit të parë i kishte kaluar afati ligjor për ankimim në Gjykatë. Organi i akuzës ka regjistruar procedim penal për veprën penale “Falsifikim dokumentash” dhe hetimet po drejtohen nga prokurori Sabri Kastrati.

Prokurori ka marre në pyetje punonjës të prokurorisë dhe gjykatës, pasi ka dyshimet se keto veprime në shkelje te ligjit janë bërë në bashkëpunim, me qëllim që ti jepet mundësia kryegjyqtares së Lezhës Ornela Naqellari, që të bëjë ankimin kundër vendimit të prokurorisë për mos fillimin e procedimit penal, ndaj kancelares së Gjykatës.

Nga ana e prokurorisë ende nuk është arritur të identifikohen personat e përfshirë në këtë skandal që ka ndodhur brenda institucionit por po verifikohen të gjitha veprimet dhe praktikat e ndjekura.

Dalja e vendimit të dytë nga prokuroria i ka dhënë afatet e nevojshme kryetares së Gjykatës së Lezhës Ornela Naqellari që të ankimojë vendimin e prokurorise për mos fillimin e hetimeve, ndaj kancelares dhe çështja eshte regjistruar dhe pritet të shqyrtohet në Gjykaten e Lezhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat