Basha: PD, luftë në Parlament/ Kreu i PD në Kuvendin kKombëtar: Zgjedhjet e 25 prillit u vodhën

Shqipëria

Basha: PD, luftë në Parlament/ Kreu i PD në Kuvendin kKombëtar: Zgjedhjet e 25 prillit u vodhën

Më: 17 korrik 2021 Në ora: 19:44
Lulzim Basha

Në vjeshtë demokratët pritet të rikthehen në Parlament pas më shumë se 2 vite mungesë. 

Nga Kuvendi Kombëtar i PD Lulzim Basha foli për një platformë që opozita do dërgojë në  Kuvend, e cila përfshin ndërhyrje të thella në Kushtetutë, reformë të re territoriale dhe zgjedhore.

“Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha grupet shoqërore. Që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor”, tha Basha.

Pavarësisht se Partia Demokratike do e njohe produktin e zgjedhjeve, ajo do vijoje te mos njohe rezultatin e 25 Prillit.

“Masakra zgjedhore nuk është thjesht hileja e tij e radhës kundër shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, por është një krim që kërkon ndëshkim. Ne nuk e njohim atë, dhe autorët e saj duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi”, tha Basha.

Për humbjen e 3-të  radhazi Lulzim Basha nuk sheh asnjë  përgjegjësi te vetja dhe as tek bashkëpunëtorët e tij, por vetëm tek kundërshtari polik.

“Kemi parë se si, bashkë me Tom Doshin, Edi Rama përdori një sigël politike si kamuflim për ortakun e tij në masakrën zgjedhore, duke e kthyer në një makineri votëblerëse”, tha Basha.

As në këtë Kuvend nuk mungoi mesazhi për kritiket sidomos për ata që u larguan për të krijuar parti të reja të djathta.

“Dora ime do të mbetet përherë e shtrirë nëse doni t’i bashkoheni aksionit tonë, dhe t’i ktheheni vlerave tona, por kurrë më nuk do të kthej faqen tjetër ndaj gjithë atyre që sakrificat e demokratëve i shpërdorojnë për inate personale apo përfitime të përkohshme”, tha Basha.

Oponencën  kryetarit demokrat ia bëri vetëm deputeti Mark Marku, i cili ndan një qëndrim  krejt te të ndryshëm nga Basha  për mënyrën sesi opozita duhet  të qaset me humbjen.

“Ne rrezikojmë që edhe pas katër vitesh të mblidhemi prapë dhe të themi po na vodhën prapë, dhe na bënë masakër zgjedhore. Na vodhën për herë të parë s’kemi faj, kur na vjedhin herën e dytë ke dhe ti faj se e ke lënë bravën hapur. PD duhet rithemeluar”, tha Marku.

Bujar Nishani  kryetar aktual i Këshillit Kombëtar bojkotoi punimet e Kuvendit, ndërkohë deputeti Agron Shehaj  i braktisi ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat