Çantaxhinjtë me liçensa ‘Avokati’, “centrifuga” e korrupsionit në drejtësi

Shqipëria

Çantaxhinjtë me liçensa ‘Avokati’, “centrifuga” e korrupsionit në drejtësi

Më: 30 korrik 2021 Në ora: 12:20
Ilustrim

Një nga operacionet e reformës amerikane në drejtësinë shqiptare, është dhe goditja shpartalluese në shërbimin e avokatisë, cilësuar e faktuar në 90% të proceseve policore, hetimore e gjyqësore, se ky shërbim është “skuta e zezë” e sistemit në Shqipëri.

Pa asnjë kontroll nga shteti, janë krijuar  shumë banda avokatësh, të maskuara pas tabelave e licensave “Studio ligjore-avokatore”; pronarët dhe adminisratorët e të cilave, krijojnë lidhjet dhe sekserizojnë e menazhojnë korrupsionin me drejtues në polici, prokurori e gjykata.

Ky biznes korruptiv i avokatëve, ka shkatërruar drejtësinë me cikël të mbyllur; ku kriminelë e zyrtarë të korruptuar, bëjnë pazare dhe dorëzojnë milionat te avokatët, ndërsa ata ua çojnë kryepolicëve, ekspertëve, prokurorëve, gjyqtarëve e madje edhe politikanëve të lartë që ndërhyjnë.

Tregues i këtij pazari kriminal, është fakti se në Shqipëri, janë prangosur e liruar qindra pushtetarë të zhytur në vjedhje, trafikantë e kriminelë të njohur, të cilët dihet që kanë bërë pazare me avokatët, por nuk ri-hetohen si pjesë e krimit.

Avokatia është kthyer në biznes palësh, për të liruar të dënuar të përjetshëm, duke mos ekstraduar të dënuar jashtë Shqipërisë me nga 20-30 vite burg e me burgim të përjetshëm.

Pandëshkueshmëria dhe liria e tyre, ka nisur te pazaret e avokatëve me kryepolicët, në momentin e arrestimit me zhdukje provash; me prokurorët pa nisur hetimi e gjatë hetimit; me ekspertët ligjorë për falsifikim provash dhe me gjyqtarët para se të japin vendimet.

Fuqia e avokatëve, për të shpëtuar kriminelët dhe të korruptuarit nga prangat e burgut, nuk qëndron në aftësitë e tyre profesionale apo në pafajësinë e të akuzuarve; por në zotësinë dhe lirinë, për të bërë pazare financiare e pasurore me shefat e drejtësisë.

Nuk është shpifje apo perceptim i mediave e qytetarëve, por është realitet që vazhdon; i provuar së fundi me arrestime avokatësh, prokurorësh e gjyqtarësh, si Enkelejda Hoxha e Krujës, Sali Hasa i Sarandës, Edmond Karriqi i Kukësit, Maksim Sota i Vlorës e shumë të tjerë para tyre.

Psh., në 15 vitet e fundit, janë arrestuar 17 avokatë e ekspertë, sekserë të ish-prokurorit Petrit Fiusha; 8 avokatë sekserë të ish-gjyqtarëve Gjin Gjoni, Alaudin Malaj e Fatmira Hajdari; si dhe 11 avokatë e ekspertë, sekserë të gjyqtarëve Rezarta Balliu e  Lindita Selimi të shkarkuar nga “Veting”-u dhe të gjyqtares Mimoza Kajo (Brahimi) ende në detyrë…

Avokatët, ose siç quhen ndryshe “çantaxhinjtë” e kriminelëve, nuk shkojnë në polici, prokurori e gjykata për të zbatuar ligjin, por për pazare, ndaj quhen “urithët” e korrupsionit në drejtësi.

Një tjetër motiv për goditje dhe pastrim të skutës së errët të avokatisë, është fakti se me licensë “Avokati”, janë pajisur edhe persona të arrestuar, gjykuar e dënuar për korrupsion, vrasje, përdhunime, trafik kokaine, armësh e femrash; ku tipik është rasti Leonard Pashos, avokat nga Korça, që sekserizon dosje kriminelësh në çdo polici, prokurori e gjykatë të Shqipërisë.

Alarmant është dhe fakti, që 220 prokurorë e gjyqtarë të përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për korrupsion e lidhje me krimin; vetë Ministria e Drejtësisë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Tatimet i kanë pajisur me licensë “Avokat”; gjë që tregon se ata janë nxjerrë nga “dera” e sistemit të drejtësisë, por janë lejuar të futen nga “dritarja”, si sekserë me licensa avokati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat