77 vota pro dhe 53 kundër, Kuvendi voton qeverinë ‘Rama 3’

Shqipëria

77 vota pro dhe 53 kundër, Kuvendi voton qeverinë ‘Rama 3’

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 08:52
Edi Rama

(E plotësuar 07:19) - Rreth orës 06:46 Kuvendi i Shqipërisë ka votuar qeverinë “Rama 3”. Programi dhe përbërja e qeverisë “Rama 3” morën 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim.

Sapo kryeministri Edi Rama mori fjalën, deputetët e opozitës u larguan nga salla.

Rama gjatë fjalës së tij për programin e mandatit të tretë tha se është një program që do të realizohet dhe se projektet e mëdha, pandemia dhe tërmeti pikat kryesore në program.

Pas votimit pritet që qeveria të betohet te presidenti Ilir Meta.

***

Rama nga Kuvendi: 400 familje jetojnë në çadra, të gjithë marrin bonusin e qerasë

Kryeministri Edi Rama ka folur sërish në Kuvend pas mbylljes së votimit për qeverinë e re. Por sapo kryeministri mori fjalën, deputetët e opozitës u larguan.

Këto fjalë janë për ata që po ikin. Nuk e kuptoj se si ju që më kërkuat dje të vija, tani që erdha ikni. Dua të tregoj disa fakte që ndryshojnë nga opinionet.

Sot në çadra janë 400 familje dhe e kanë zgjedhur të jetojnë në çadra për shkak të largësisë me qytetin dhe për shkak të afërsisë me tokë dhe me fermën. Për atyre është dhënë bonusi i qerasë. Sot çdo vit rimbursohen 120 milionë dollarë ilaçe.

Buxheti i shtetit jep para që personat të marrin ilaçet. 280 mijë nxënës marrin librat falas ndërsa kur erdhëm ne, nuk merrtë asnjë”- tha Rama.

***

Kumbaro: Natyra dhe mjedisi nuk ka kontratë me të majtë apo të djathtë, është përgjegjësi e të gjithëve

Debatet dhe diskutimet për programin e qeverisë ‘Rama 3’ vazhduan deri në orët e para të mëngjesit. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro Furxhi shpalosi programin e ministrisë së saj për pastrimin e mjedisit, natyrës dhe zhvillim e turizmit.

Në fjalën e saj në Kuvend tha se natyra nuk ka kontratë me ndonjë parti, por duhet të mbrohet dhe të ruhet nga të gjithë ne, nga të gjithë qytetarët.

Është detyrë e jona të ruajmë mjedisin dhe natyrën. Është e detyrë e të gjithëve ne. Mjedisin duhet tua kthejmë fëmijëve tanë, në mënyrë që brezat që vijnë mos të na mallkojnë. Menaxhimi i mbetjeje është një sfidë e madhe dhe jemi të ndërgjegjshëm për këtë”- tha Kumbaro.

Ministrja u ndal edhe te turizmi ku tha do vazhdojë zbatimi i projekteve që sjellë ndryshim në turizëm. Në 2019 u shënuan gati 6 milion e gjysëm vizitorë të huaj. Për shkak të pandemisë u shënuan gati 2 milion e gjysëm. Viti 2021 kemi 2.78 milionë vizitorë. Pandemia na mësoi neve dhe shumë vendeve të tjera se turizmi nuk lidhet vetëm me plazhet. Mësoni një sjellje të re të turizmit”- tha Kumbaro.

***

Kuvend/ Milva Ekonomi: Me “e-Albania” kaluam nga letra në shërbime cilësore për qytetarët dhe bizneset

Debatet dhe diskutimet për programin e qeverisë ‘Rama 3’ vazhduan deri në orët e para të mëngjesit. Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbim, Milva Ekonomi në fjalën e saj në Kuvend foli për sukseset e qeverisë në transformimin digjital.

Ekonomi përmendi platformën E-Albani si një sukses të qeverisë e cila e ktheu shërbimin nga letra në online.

Vendi u godit nga 2 fatkeqësi të rënda të cilat janë: tërmeti dhe pandemia. Kjo situatë nuk do të menaxhohej me sukses nëse nuk do të kishim ecur me një hap të shpejtë drejt revolucionit digjital. Dhe kjo histori suksesi quhet e-Albania. Platforma vepron si një pikë e vetme e cila ofron shërbime publike për qytetarët në 24 orë në 7 ditë të javës.

Nga letra kaluam në sisteme dhe nga sistemet në shërbime të lehta, të shpejta, të matshme në cilësi për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare pavarësisht vendndodhjes së tyre në territor”- tha Ekonomi.

***

Kuvendit të Shqipërisë, iu rikthyen debatet mes opozitës dhe shumicës madje edhe bllokimi foltores të parlamentit përpara përballjes së munguar dy vjeçare mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Kreu grupit parlamentar demokrat Alfred Rrushaj tha se zoti Basha nuk mund ta merrte fjalën pa prezencën e Ramës në sallë.

Megjithëse kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla dhe kreu grupit parlamentar socialist Taulant Balla shpjeguan se në rregulloren e kuvendit për këtë seancë specifike, nuk kërkohet prezenca kryeministrit të dekretuar, kjo nuk i bindi demokratët që kërkuan mbledhje grupi e më pas i vijuan debatet po për të njëjtën çështje. Edi Rama kur mbërriti i tha opozitës se nuk do mund të arrijnë asgjë përmes forcës.

Lulzim Basha zgjodhi ti bëjë oponencë më së shumti zhvillimeve të shkuara se sa programit qeverisës prezantuar nga Edi Rama.

Demokracia shqiptare nuk është në krizë, ajo ka vdekur! Ka vdekur në shtyllat e saj kryesore, në themelin e saj që janë zgjedhjet e lira. Nuk vdiq për shkaqe natyrore, paçka se sëmundja e saj ishte e rëndë dhe e gjatë. Demokracia është vrarë. Gishti tregues për të kërkuar përgjegjësit e këtij krimi mund të drejtohet te shumë prej nesh që jemi në këtë sallë, apo tek ata që nuk janë më. Kushdo që është ngritur në këtë foltore në këto tre dekada ka borxhet dhe mëkatet e veta, por ekzekutori i fundit dhe i vetëm i saj është ai që foli përpara meje”- tha Basha.

Zoti Basha shprehu kritika të forta për reformën territoriale dhe atë në drejtësi.

Reforma e falimentuar territoriale, që u qëndis si një këmishë force për t’u shërbyer interesave tuaja politike, por jo qytetarëve, tek e sëmura e madhe, që është reforma në drejtësi. Një e sëmurë që mbahet e intubuar nga partnerët, por e goditur dhe e rrezikuar nga virusi i korrupsionit i kësaj pakice që e ka kapur për të penguar ndëshkimin e merituar të eksponentëve të saj të korruptuar e të lidhur me krimin!”- vijoi Basha. 

Kreu PD bëri këtë koment për Ballkanin e Hapur.

Çfarë e motivon përbuzjen e Procesit të Berlinit të iniciuar nga Gjermania dhe që ka mbështetjen politike e financiare të BE-së, vendeve kryesore anëtare të Unionit e që mbledh së bashku të gjitha vendet e Ballkanit, dhe çfarë të detyron të investohesh kaq fort në një iniciative paralele të krijuar në Novisad e si autoritetin më të lartë ka Vucic. Përgjigjja është e thjeshtë. Juve nuk ju intereson aspak procesi dhe rezultati i bashkëpunimit rajonal por vetëm kapardisja si udhëheqës rajonalë para popujve që i keni lënë në baltë”- shtoi Basha.

Për gjithçka çfarë tha Lulzim Basha, Edi Rama zgjodhi një përgjigje shumë të shkurtër.

Fjalimi vetëm përsëritje që mund të jetë shkak i stresit. Nuk është koha të përgjigjem më shumë, sepse ke boll kumurie, kështu që nuk po e vazhdoj me shumë”- iu përgjigj Rama.

***

Ndërkohë që mazhoranca dhe opozita kanë zhvilluar debatet e tyre në sallën e kuvendit, e pranishme ka qenë edhe bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama.

Ajo ishte ulur sot në lozhën e sallës së parlamentit për të ndjekur nga afër prezantimin e programit qeverisës në mandatin e tretë të socialistëve.

Linda Rama qëndroi në sallë vetëm për të ndjekur fjalën e bashkëshortit, që prezantonte projektet për 4 vitet e ardhshme dhe më pas është larguar.

Image

Siç duket, prania e saj në sallë, ka qenë një lloj mbështetje në distancë që bashkëshortja e kryeministrit i ka dhënë Ramës në nisje të legjislaturës dhe qeverisë së re.

Kryeministri Rama shpeshherë ka thënë se Linda Rama është mbështetje e madhe për të, por kurrë nuk e ka përfshirë në aktivitete të tilla apo debate politike.

Po sot, ajo ka vendosur që të mos e lërë “vetëm” bashkëshortin e saj përballë sulmeve dhe akuzave që mund të vinin nga pala opozitare.

Albana Vokshi: Rama dhe Manastirliu duhet të ishin para drejtësisë!

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë dhe deputetja e PD-së Albana Vokshi e konsideroi shëndetësinë si fushën ku qeveria e Edi Ramës ka dalë zbuluar që në ditët e para në pushtet.  

Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend Vokshi tha se Edi Rama dhe Ogerta Manastirliu duhet të ishin para drejtësisë, pasi janë përgjegjës për keqmenaxhimin e pandemisë.

“Shëndetësia është fusha ku qeveria e Edi Ramës ka dalë zbuluar që ditën e parë në pushtet. Shëndetësia falas rezultoi mashtrimi dhe dështimi më i madh i Edi Ramës që jam i sigurt që do ta përndjekë gjithë jetën për dëmin dhe koston humane që ka shkaktuar gjatë pandemisë. Ky kryeministër ngjan aq shumë me Covidin. Njësoj si ai është shkatërrimtar dhe ndryshon emrat si ai, shkon nga Delta në Mu, qeveria “Rama 3”, ashtu sikurse qeveria “Rama 1” dhe “Rama 2” do të mbeten armiku kryesor i qytetarëve shqiptarë. Pandemia nxori në pah se si e keni shkatërruar sistemin shëndetësor. Vetëm ai që mund të kishte para mund të shpëtonte jetën. Pronarët e mëdha koncensionare nuk i besuan këtij sistemi, por i hipën avionëve dhe ikën në vende të tjera. Ndërkohë që shqiptarët, u izoluan, u denigruan nga një kryeministër”, u shpreh Vokshi.

“Shifrat janë alarmante, janë tronditëse. KE ka konstatuar që Shqipëria ka nivelin më të lartë të vdekjeve në Evropë. Pyetka që më lind është kush është përgjegjës për numrin rekord të vdekjeve në Shqipëri? Kush është përgjegjës për keqmenaxhimin e pandemisë? Ka vetëm dy emra: Edi Rama dhe Ogerta Manastriliu. Të cilët nuk duhet të ishin në këto karrige këtu sot por duhet të ishin para drejtësisë. Edi Rama po tallet sërish sot me ju. Ai nuk ka program për shëndetësisë. Ne copën e letrës që lexoi sot nuk ka as kosto, as afate, as angazhime e politika konkrete. Shtylla e këtij të ashtuquajturi program është riciklim i premtimit mbulim shëndetësor universal, as paketim të ri nuk i ka vënë. Mashtron me 600 mijë të pasiguruar, që edhe në qeverinë e Berishës mund të siguronin shërbim shëndetësor falas vetëm nëse siguronin një vërtetim nga zyrat e punës. Mashtron me Check-up. E paguajmë shumëfish Check-up e VILMA Nushit. Mashtron me 300 qendrat shëndetësore. Mjekët u denigruan, u braktisën në betejën përballë Covid-it. 55 jetë të humbura deri në qershor ndër mjek e infermier që mund të ishin shpëtuar nëse do ishin marrë masat e duhura”, tha ajo.

***

 Deputeti i PD, Ervin Salianji është shprehur se Partia Demokratike nuk do të ndalë në asnjë moment betejën e saj kundër korrupsionit që ka pllakosur të gjitha hallkat shtetërore, kundër padrejtësive në dëm të qytetarëve, kundër varfërisë dhe kundër regresit që Edi Rama po e çon gjithmonë e më shumë Shqipërinë.

Gjatë fjalës së tij në Parlement, Salianji tha se Partia Demokratike jo vetëm që përbën historinë më të bukur të dekadave të fundit të historisë së Shqipërisë, por  është padyshim dhe e ardhmja e saj, pasi është e vetmja forcë politike që mund ta zhvillojë dhe ta çojë përpara këtë vend.

"Konstituimi i nje parlamenti dhe fillimi i një  legjislature të re, do të duhet të ishte kurorëzimi i  një gare demokratike dhe nje dite e shënjuar për zhvillimet politike të cdo vendi. Ashtu sikurse ndodh në të gjitha vendet normale , mandati i ri i parlamentit do të duhet të konsiderohej një ditë progresi për demokracinë , zhvillimin ekonomik dhe social per Shqipërinë. Por fatkeqësisht, nuk është rasti i këtij Parlamenti dhe e kësaj mazhorance. Nuk është rasti, pasi tashmë është bërë e ditur në sytë e të gjithë opinionin publik, i madh e i vogel e di se kjo është  mazhorancë e cila nuk ka dalë nga një garë e lirë, demokratike dhe e barabartë, por nga një garë e manipuluar me të gjitha format dhe mjetet e mundshme që pushteti dhe krimi i lidhur me të ka patur në zotërim, duke bërë që të deformohet sovraniteti i popullit shqiptar", tha Salianji.

***

Nënkryetari i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, deklaroi sot në seancën plenare në Kuvend se, qeverisja që sundon shqiptarët nga sot është vula më e errët mbi lirinë dhe demokracinë në këtë vend.

Ai tha se shteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë dhe se agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e shitblerjes së votës Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve.

“Ky është epitafi i zi i masakrës elektorale të 25 prillit. Kjo është vula më e erret mbi lirinë dhe demokracinë në këtë vend. E tillë është dhe do të jetë qeverisja që sundon shqiptarët nga sot. Se sa do te vazhdoje kjo është në duart e shqiptareve”, tha Alibeaj.

***

Deputeti i PD Edi Paloka e ka konsideruar një paçavure programin e ri ekonomik të paraqitur nga kryeministri Rama. Në fjalimin e tij në Kuvend, Paloka tha se Rama është kryeministri më i urryer ndërshqiptar.

Ai u ka bërë thirrje shqiptarëve të ngrihen të luftojnë përdryshe do u nënshtrohen një bande me krininelë.

“Nuk kam ndërmend të debatoj për këtë paçavuren që u paraqitet shqiptarëve për herë të tretë shqiptarëve. Jam këtu për të thënë se nuk kemi çfarë të themi, Çfarë vlere kanë fjalët me këtë kryeministër. A ka shqiptarë që nuk e di që janë të korruptuar, të lidhur me krimin. Rama e ka për mburrje t’i thonë antishqiptarë. Thjesht do gajaset siç ka bërë gjithmonë kur këtu janë ngritur hallet e njerëzve. Di i themi që është dështak, mashtrues, i pafytyrë, të gjitha të zezat i ka. E dëgjuat prapë sot. Asnjë nuk e ka pasur iluzionin se Rama do të ndryshonte e se ky do të ishte një parlament tjetër. A kemi lënë skandal pa denoncuar në 8 vite? Ministër, qeveritarë, hajdutë të administratës pa demaskuar? Asnjë s’kemi lënë. Këta edhe në kë moment janë duke vjedhur. Para 25 prillit nuk e gjeje një socialit të ndershëm që të kishte guximin të mbronte këtë kryeministër. Është kryeministri më i urryer ndërshqiptar. Unë kam një fjalë vetëm për ata shqiptarë që nuk e shesin votën për një qese ushqime. Nëse ju dhimbset liria juaj dhe e fëmijëve ngrihuni dhe luftoni ose t’i nënshtrohemi një bande me kriminelë e të ulim kokat. Boll më me justifikime! Luftoni për vete, jo për karriget tona. Po nuk e shporrët këtë bandë ky vend do të shkojë”- tha Paloka.

***

Kreu i PD Lulzim Basha u shpreh se keqmenaxhimi që qeveria i ka bërë pandemise beri qe shqiptarët te kuptojne se sa e gënjeshtërt është propaganda e kryeministrit Rama.

Më tej Basha u shpreh se mijëra prindër, bij e bija nënash e baballarësh, sot kanë lënë pas boshllëqe, dhimbje dhe halle në gjirin e familjeve që i humbën, për shkak të koktejit të neglizhencës vrastare.

Sipas Bashës shqetësimi  i vetëm i qeverisë ishte pasurimi dhe pushteti, asgjë tjetër.

“Mund të përdor shumë, shumë shembuj, sepse prej vitesh keni prodhuar skandale që janë eklipsuar nga skandale të tjera, dhe për shkak të të munguarës së madhe, drejtësisë, e gjitha kjo ngjan si një luftë fjalësh, ndërsa vendi ka marrë tatëpjetën. Megjithatë ka një moment që e shfaq në gjithë brutalitetin e tij natyrën e vërtetë të pushtetit tuaj dhe vizionit që keni për këtë vend. Pandemia. Pandemia goditi ashpër të gjitha shtetet – sigurisht nuk mund të të bëj përgjegjës për këtë – por në zgjedhjet që ti bëre në keqmenaxhimin e saj shqiptarët kuptuan se kush jeni dhe sa e gënjeshtërt është propaganda juaj. Është fakt tashmë që Shqipëria ka shënuar numrin më të lartë të vdekjeve në raport me popullsinë në Europë. Mijëra prindër, bij e bija nënash e baballarësh, sot kanë lënë pas boshllëqe, dhimbje dhe halle në gjirin e familjeve që i humbën, për shkak të koktejit të neglizhencës vrastare, propagandës së pashpirt dhe makutërsië për të bërë plackë edhe në kohërat e kolerës. Është fakt dhe dhimbje e pakurueshme po kështu, se kur njerëzit po humbnin gjithcka për të shpëtuar shëndetin e tyre, ti dhe ndihmën ekonomike më të ulët në Europë.  Po ashtu është fakt se ndërkohë që jetët e humbura shtoheshin, ndërkoë që familjet shqiptare varfëroheshin dhe ekonomia lëngonte për shkak të mbylljes, ti bëje tendera sekretë me cmime të paracaktuara në dobi të klientëve të pushtetit tend.  Ti vijoje pagesat e majme për inceneratorët e mafias së plehrave dhe PPP-të e tjera që ishin në funksion të xhepave tua dhe fushatës zgjedhore.  Pra, në ditët më të zeza të shqiptarëve, shqetësimi juaj i vetëm ishte pasurim dhe pushteti, asgjë tjetër.  Kjo nuk është një sjellje njerëzore, por ngjan më shumë me ato të hienave, që sulen më egër në momentet e brishtësisë. Këta jeni ju!

Ky është modeli juaj!

Ky është programi juaj!

Asgjë tjetër vecse një kope e babëzitur që si në rast pandemie si në rast tërmeti, turreni për të shqyer cfarë mundeni të shqyeni! Një fatkeqësi kombëtare”- tha Basha.

***

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar në parlament arsyen e mosardhjes në Parlament. Nga foltorja e Kuvendit, Kreu i qeverisë u shpreh se arsyet ishin për çështje punë.  

“Keni dy orë që më kërkoni, tani vij dhe më lini të flas. Dëgjon e gjithë qeveria këtu dhe sigurisht që një debat i zgjatur me aq shumë orë saç është kërkuar, nuk mund të jetë një debat i ndjekur nga të gjithë. Por gjithçka që thuhet këtu dhe ka inertes për ne shënohet dhe analizohet. Unë nuk erdha në orën 4, për asnjë arsye tjetër për shkak të ngarkesës së punës, për faktin se pasnesër do të largohem për shumë ditë dhe për këtë arsye janë shumë detyra për tu ndjekur.

Megjithatë kur mora mesazhin që ju kishit ngritur çështjen që unë të isha këtu, unë thashë do të vij në orën 5. Me idenë që përderisa ishte e nevojshme prania ime, do vazhdonte pjesa tjetër, pastaj kur të vija unë kryetari do merrte fjalën.

Por ndërkohë ju bllokuat foltoren. Ajo çka thashë më parë, me të keq, me akte që vënë përpara forcën fizike, as nuk keni fituar dhe as nuk do fitoni asnjëherë. Prandaj ja ku jam, i gatshmen ta dëgjoj kryetarin e PD dhe i qëndroj 100% të gjitha atyre që thashë sot. Unë nuk kam asnjë detyrim kushtetues dhe ligjor dhe normativ që të qëndroj këtu kur mendoni ju dhe për aq kohë sa mendoni ju. Unë ju thashë do të jem në orën 5, por ju bllokuar foltoren, unë u detyrova që të pres që ju ti hapni rrugë arsyes dhe ja ku më keni”, tha Rama.

***

Pas këmbënguljes së opozitës, pas një orë vonese ka mbërritur në Parlament kryeministri Edi Rama.

Më herët ka pasur debate mes opozitës që kërkonte prezencën e kryeministrit dhe mazhorancës, e cila kërkonte vazhdimin e punimeve të seancës.

Fillimisht seanca nisi në orën 16:00, por është ndërprerë disa herë.

Grupi parlamentar i PD-së theksoi se Edi Rama e ka detyrim kushtetues të dëgjojë opozitën për një çështje të rëndësishme siç është programi i ri qeverisës.

Ndërkaq, kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla dhe kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla, thanë se ligji nuk e kushtëzon kryeministrin të jetë i pranishëm në seancë.

Lindita Nikolla njoftoi se Rama do të mbërrijë në orën 17:00, por ai u pa ne ambientet e Kuvendit ne oren 18:00.

***

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Alfred Rushaj e ka konsideruar një tallje mosprezencën e kryeministrit Edi Rama në sallën e Parlamentit.

Në një debat me kryetaren e Kuvendit Lindia Nikollën, Rushaj është shprehur se Rama duhet të dalë përpara shqiptarëve dhe të ballafaqohet për ato që tha në seancën e paradites.

Po ashtu ai ka kërkuar edhe respektimin e kërkesës së Grupit Parlamëntar të drejtuar nga Mesila Doda për një pushim 30 minuta.

“Ka një kërkesë të një grupi tjetër parlamentar. Thatë që kryeministri do të fliste në orën 5. Kjo është të tallësh me shqiptarët dhe përgjegjësinë ndaj tyre. Unë shoh dy figura të larta, kryeministrin e vendit që nuk vjen të ballafaqohet me programin dhe kryetaren e parlamentit që thotë të pavërteta në emër të kryeministrit. Këtë përgjegjësi e ka marrë përpara të gjithë shqiptarëve dhe duhet t’u dali për sot. Së paku do të ishte e udhës të na thoni pse kryeministri gënjeu përsëri. Nuk është fjala për Edi Ramën këtu, është fjala se si kryeministri ka njoftuar të gjithë shqiptarët se do të vijë të përballet me ato që tha paradite”- tha Rushaj.

***

Zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka marrë fjalë në seancën e sotme plenare që ka nisur me debate për mungesën e kryeministrit Edi Rama dhe ende nuk ka hyrë në vijueshmërinë normale.

Por, pas disa insistimeve nga ana e deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj, Nikolla i ka dhënë fjalën deputetit të PD. Ndërkohë që Ahmetaj e ka pritur në këmbë.

Pas mbarimit të minutazhit, Nikolla i ka ndërprerë mikrofonin Alibeajt, por përsëri ai nuk është larguar nga foltorja. Kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla ka ndërprerë sërish seancën për 10 minuta pushim.

Image

***

Seanca e dytë e kuvendit për këtë të enjte ka nisur me debate mes opozitës, kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Kreu i PD-së Lulzim Basha dhe deputetët e tjerë të opozitës nuk kanë pranuar që të flasin nga foltorja e kuvendit duke pretenduar se kryeministri Edi Rama duhet të vijë në sallë.

Në këto kushte nga grupi parlamentar i PD është kërkuar ndërprerja e seancës dhe më pas pushim për të diskutuar vijimin e seancës. Ndërkohë është njoftuar se kryeministri Edi Rama do të jetë prezent rreth orës 17:00.

Pjesë nga debati:

Lindita Nikolla: Nuk pati asnjë pyetje nga ju kështu që të mos përsëritim të njëjtin gjë por të vijojmë procedurën.

Tritan Shehaj: Nuk ndodh në asnjë vend të botës që kryeministri të fshihet. Në këtë moment ju kryetare e parlamentit ndërprisnin seancën dhe lajmëroni km të vijë këtu. Ose e lemë për nesër, kryeministri është i lodhur. Kjo është e vërteta se nuk ka ndryshe vetëm tek Kim young Un”

Rrushaj: Kërkoj pezullimin e kësaj seance dhe mbledhje e konferencës së kryetarëve. Nuk ka seancë të rëndësishme më shumë se kjo e miratimit se çdo bëjë kryeministrit Rama për 4 vitet e ardhshme.

Balla: Unë e kuptojë që opozita dhe Basha do të marri fjalën kur KM është në sallë. Le të vazhdojmë këtë seancë dhe kreu i opozitës të marri fjalën kur të jetë KM këtu.

Rrushaj: U bënë disa herë që kërkojmë gjera të ligjshme dhe na i refuzoni. Cfarë do lloj arsye të ketë pasur KM nuk ka më të rëndësishme se kjo seancë e sotme. Ne jemi të gatshëm të ndërpresim seancën.

Nikolla: Rreth orës 17:00 KM do të jetë këtu.

Rrushaj: Kërkojmë kohë 47 minuta pushim.

Nikolla: Keni 15 minuta pushim.

Rama mungon në seancë, PD bojkoton foltoren, Basha refuzon të flasë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka refuzuar të flasë në foltoren e Kuvendit për programin e qeverisë ”Rama 3”, në një kohë kur vetë kryeministri mungon në seancë.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla thirri katër herë rresht emrin e Lulzim Bashës për të folur në seancën por ai nuk bëri asnjë reagim ndërsa disa nga përfaqësuesit e PD replikuan me drejtuesen e seancës dhe kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Replikat

Lindita Nikolla: Rregullorja ka përcaktuar rregullat të cilat unë i lexova. Vazhdojmë me rendin e ditës. Fjala për zotin Lulzim Basha.

Jorida Tabaku: Edhe kur miratohet një ligj i thjeshtë ministri duhet të jetë prezent. Unë e di që është një copë letre dhe nuk keni për të mbajtur asnjë premtim. Thërrisni kryeministrin që të mbrojë programin qeverisës.

Lindita Nikolla: Ju po përsërisni të njëjtën çështje. Vazhdojmë me seancën. Fjala për zotin Lulzim Basha

Gazment Bardhi: Personi që ka propozuar programin politik duhet të jetë i ulur atje. Çfarë pune më të rëndësishme ka Edi Rama se sat ë vijë të mbrojë atë që ka prezantuar.

Taulant Balla: Neni 110 që i referohen kolegët nuk kushtëzon asnjë deputet të qëndrojë përgjatë gjithë debatin në seancën plenare. Besoj që vitet që do vijnë pas shembullin e sotëm duhet ta kthejnë në standard. Kur unë kam qenë në opozitë nuk e kam pasur, që koha e kryetarit të opozitës është e barabartë me atë të kryeministrit. Për kalamajtë që nuk e mbajnë mend kjo është ndryshuar në vitin 2013. E gjithë qeveria është prezent.

***

Sa i takon politikës së jashtme qeveria Rama 3 do të vijojë nismën e Ballkanit të Hapur e cila nuk është lojë e Serbisë por pjellë e procesit të Berlinit.

”Ballkani i hapur nuk është lojë e Serbisë, dhe as konspiracon rus apo kinez për të ringjallur jugosllavinë. Nuk është asesi devijim nga rruga e anëtarësimit në BE apo nga kornizat e procesit të Berlinit.Të gjitha këto janë përralla me gogol për të treguar pranë zjarrit digital në një luftë nga kolltuku e nga face book me një armik të deridjeshëm të cilin Kosova e Shqipëria e kanë mundur përfundimisht si armik në luftën reale me bomba e pushkë, sot e 20 e kusur vite përpara falë SHBA-së e UÇK-së”.

Rama thotë se politika kundër Ballkanit të Hapur e jo vetëm në Kosovë është e nxitur nga Tirana.

“Politikë që luan luftash me Serbinë, në Prishtinë e Tiranë. Kosova e nxitur dhe nga Tirana për politika që nuk kanë të bëjnë fare me kombin por vetëm me luftën elektorale të humbasë në paqe si një rulet kazinoje politike të gjitha kreditet ndërkombëtare që janë fituar me dhimbje”.

”Për Kosovën ne mund të flasim se u takon atyre të Kosovës të marrin vendime. Ama e njëjta gjë vlen dhe anasjelltas. Për Shqipërinë vendosin autoritetet e Shqipërisë edhe ata duhet të respektojnë vendimet tona. Nëse nuk na pëlqejnë vendimet e njëri- tjetrit t’i diskutojmë vëllazërisht me mendje të hapur por kurrësesi t’i shpallim si rusokinez e nostaligjiko sllav ata që mendojnë ndryshe..”

”Serbia po çe puna për Ballkanin e mbyllur, tregun e Kosovës e ka marrë të gjithin. Shqipërisë nuk mund ti jepen leksione dhe vendimet sovrane të Shqipërisë nuk mund të negociohen askund. Koha do tregojë se kush ka të drejtë”

“Në Amerikë balta ka kohë që nuk shitet më”/ Rama: Hapja e negociatave, jo në dorën tonë!

Gjatë fjalës së tij në Kuvend Rama tha se çështja e integrimit në BE nuk varet nga qeveria, por nga politika e brendshme e shteteve anëtare të BE..

Por kreu i qeverisë shtoi se kjo nuk ndryshon asgjë për të ecur para dhe për të përmbushur të gjitha kushtet që Shqipëria të jetë një standard i vendeve të BE-së.

Rama nuk ka lënë pa përmendur akuzat e opozitës ndër vite, duke thënë se se në Amerikë ‘balta’ e opozitës nuk shitet më, por ai thekson se ajo ka ndikuar shumë që Shqipëria të hynte në labirintet e integrimit europian.

Rama: Besoj se nuk duhet të flas unë, që Shqipëria sot nuk ka lidhje me 8 vite më parë. Nëse gjatë këtyre viteve fabrika e baltës politike nuk do kishte eksportuar aq shumë prodhim në zyrat e Europës. Në Amerikë ajo baltë ka kohë që nuk shitet, ky vend nuk do të kishte hequr picirin në labirintet e integrimit europian. Jo se do ta kishim marrë më parë se kur e morëm vendimin për të hapur negociatat nga Këshilli Europian, as se do ishte bërë konferenca e parë ndërqeveritare. Se asnjëra nuk varet nga kushtet që përmbushnim ne. Bëheshin si ato vargjet e fiqve të thatë, si gjëegjëzat që hutojnë fëmijët. Tani dhe fëmijët e kanë kuptuar nga ato punë se si e kanë hallin e tyre, e jo sa i kemi zgjidhur ne hallet tona, Për ne nuk ka asnjë rëndësi. Për shkak të 1001 problematikave, por kjo nuk ndryshoni asgjë në përpjekjen tonë për të ecur përpara dhe për të përmbushur kushtet që Shqipëria të jetë për shqiptarët një vend me kushtet e BE, po se kur hapet konferenca nuk është në dorën tonë. Balta që eksportohej nga këtu e dëmtonte Shqipërinë, e bënte si stan me lepuj, e bënte si i vetmi vend në historinë e integrimit europian, ku dukej se ishte me 2 palë. Sot Shqipëria nuk diskutohet më nga askush që është gati për çeljen e negociatave. Do të ndodhë çdo të ndodhë me Bullgarinë nuk na pengon ne. Shihemi me respekt si pikë referimi në Ballkan.

Reforma në Drejtësi/ Rama: Kokat e botës së krimit janë prapa hekurave

Kryeministri Edi Rama ka folur edhe për Reformën në Drejtësi ku ka theksuar se sot rezultatet e saj janë të dukshme dhe kokat e botës së krimit janë prapa hekurave. Rama theksoi se ka nga ata që janë në skuta por që vetëm e shtyjnë ditën e gjykimit, pasi llogaria është e pashmangshme.

Rama: Ne e kemi besuar që në pikënisje dhe sot më shumë reformën në drejtësi me vetëdijen se rezultatet e saj nuk vijnë kollaj dhe shpejt. Të ndërtosh nga e para një pushet të pavarur në vend të një të drejtësie të kalbur është njësoj si të transplantosh një kolonë vertebrore me një të re. Duhet të një këmbëngulje e pashembullt dhe durim i pashoqë përballë një sfide që duket e humbur.

Kur u nisëm nuk kishte tunel, por vetëm terr të plotë ku cekiçi i gjykatësve të korruptuar bënte kërdinë dhe pandëshkueshmëria e më të fortëve legenoste Shqipërinë. Sot toka lëkundet në këmbët e tyre që dikur shikonin popullin nga lart poshtë. Organet e drejtësisë u kanë dalë nga duart edhe politikës e krimit. Partitë po e humbin fuqinë për ti rezistuar presionit të kohës që kërkon drejtësi. Askush që ka llogari të hapura me ligjin nuk fle më i qetë.

Kokat e botës së krimit janë prapa hekurave, por ka edhe nga ata që janë në skuta ku vetëm e shtyjnë në kohë, e nuk e ndalin dot ditën e llogarisë para gjykatës. Kjo shumicë do punojë ngushtësisht me aleatët strategjikë duke e mbështetur pa asnjë rezervë reformën në drejtësi. Mbështetja jonë për proceset do jetë e palëkundur dhe do jemi në gatishmëri të plotë për çdo gjë që do nevojitet nga ana jonë këtu në Kuvend për zbatimin e kësaj reforme dhe për motivimin profesional të drejtësisë së re.

***

Kryeministri Edi Rama prezanton sot programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Në fjalimin e mbajtur në fillim Rama e nisi me përbërjen e lartë të grave në qeverinë e re, si asnjë vend tjetër më parë.

Po ashtu ai vuri theksin tek sjellja e duhur në parlament, për të dhënë shembullin e mirë tek qytetarët shqiptarë.

Edhe një herë kryeministri Rama tha se është gati t’i shtrijë dorën PD-së për çdo mendim, por kurrsesi nuk pranon ultimatume.

“Kjo qeveri e re do të hyjë në histori si qeveria me përbërjen më të lartë të grave. I kemi dhënë grave dhe vajzave vendin e merituar në shoqërinë tonë. Rritja e numrit të grave në këtë Kuvend është bërë falë ligjvënësve këtu. Me këtë kabinet të ri, Shqipëria ngjitet në vendin e parë të Kombeve të Bashkuara për përbërjen e grave në qeveri.

Duam apo s’duam do rrimë bashkë këtu në një çati për 4 vite, jo vetëm me kë na pëlqen por dhe me atë që nuk na pëlqen. S’jemi të detyruar të merremi vesh për çdo gjë, por mënyra se si shprehet dakordësimi duhet të jetë i kujdesshëm.

Tjetër është të thuash mendimin tënd, dhe tjetër është të përplasësh duart në tavolina. Tjetër është të votosh kundër, e tjetër është të grisësh fletën e votimit e t’i hedhësh në tokë. Kjo sallë s’duhet të zhytet më në llucën e vulgaritetit.

Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, nuk kemi shkëlqyer në sytë e shoqërisë shqiptare. Shumë sherr e shamata, shumë kohë e mundësi të humbura për të bërë më shumë për shqiptarët. Pasi lënë nam, si kalamaj që luajnë e ka kush e ka në oborr pasi kanë lënë orët e mësimit. Dora jonë është e shtrirë për PD, s’duam asnjë lëshim nga ju, por jemi gati të dialogojmë me ju për çdo lëshim që doni, për çdo gjë që dëshironi.

Jemi të hapur të dialogojmë, por me ne nuk do arrini gjë me urdhra e ultimatume, por duke folur me njëri-tjetrin me argumenta e ide, ne mund të flasim për çdo gjë.

Asnjëherë nuk do të pranojmë ndërmjetësues të huaj për të zgjidhur krizat e brendshme. Ato shkaktohen alla-shqiptarçe, dhe do zgjidhen po nga ne, duke folur vetëm shqip me njëri-tjetrin,” tha Rama.

Linda e ndjek nga holli i Kuvendit fjalimin e Ramës për gratë

Kryeministri Edi Rama fjalimin e tij në seancën plenare e ka nisur me prezantimin dhe sfidat e qeverisë në mandatin e tretë.

Rama ka theksuar rolin kyç që do t kenë gratë në mandatin e tretë qeverisës.

Fjalimi i kreut të qeverisë për rolin e grave në qeverisje është ndjekur nga afër nga bashkëshortja e tij Linda Rama.

Nga një foto e siguruar nga abcnews.al shihet prania e bashkëshortes së kryeministrit në hollin e Kuvendit të Shqipërisë ku po zhvillohet seanca maratone ku pritet prezantimi i programit të qeverisë dhe votimi i kabinetit qeveritar.

Rama kërkon votëbesimin për kabinetin e ri: Kjo qeveri do të hyjë në histori për përbërjen e lartë të grave

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar votëbesimin e Kuvendit për qeverinë e re të mandatit të tretë. Nga foltorja e Kuvendit Rama teksa po prezanton programin, shpjegoi se ky kabinet për herë të parë ka thyer rekordi me  shumicën e grave.

“Në një ndjenjë të posaçme mirënjohje për të gjithë shqiptarët. Jam këtu sot për të kërkuar votëbesimin e qeverisë së re për mandatin e  tretë. Kjo qeveri e re do të hyjë në histori me përbërjen më të lartë të grave. Jam krenar që kjo shumicë e ka çuar në përpara tërë këto vite si asnjëherë më parë për ti dhënë grave dhe vajzave vendin e merituar. Kjo është një nga ato gjërat me rëndësi që koha u jep gjithnjë edhe më shumë mundësi. Me votëbesimin e këtij kabineti të ri Shqipëria ngjitet në vend të parë për numrin e grave në qeveri, pasi ka qëndruar në pesë vendet e para.

E para tejkalimi i lartë këtë herë i shkallës së barazisë nuk ka qenë qëllim në vetvete. Raporti i përmbysur në favor të anëtarëve nuk ishte një qëllim në pikënisje, por pikëmbërritja e analizës së punës. Sot kemi dukshëm më shumë kolege jo për fakt të gjinisë, por u përshtaten më shumë qëllimeve të punës që duan të bëjnë. Kjo do të thotë që siç faktori gjinor nuk ka qenë ky,” deklaroi kryeministri.

Kuvendi seancë maratonë, pritet prezantimi i programit qeverisës dhe votimi i kabinetit

Kuvendi i Shqipërisë sot do të zhvillojë një seancë maratonë ku pritet që të bëhet dhe prezantimi i programit qeverisës dhe përbërja e kabinetit qeveritar.

Në rendin e ditës është parashikuar paraqitja e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave. Po ashtu pritet, gjatë seancës plenare, e cila mund të zgjasë në një afat të pacaktuar pritet që të zhvillohet një debat mbi programin politik.

Seanca plenare do të ndahet në tri pjesë, ku në të parën, e cila nis në 10:00, do të prezantohet programi nga Rama, në të dytë, që nis në orën 13:00, do të ngrihen pyetje nga deputetët në sallën, dhe në orën 16:00 do të bëhet votimi i programit dhe qeverisë së re.

Në këtë seancë parlamentare, kryeministri Edi Rama do t’i përgjigjet pyetjeve të deputetëve për ti a lënë vendin votimit të programit dhe kabinetit qeverisës.

Pritet me interes për tu parë numri votave që do të marrë votëbesimi qeverisës së re dhe nëse do të ketë përsëri rrjedhje vote nga opozita.

Qeveria Rama 3 dominohet nga ministret femra plot 12, disa prej të cilave për herë të parë do të mbajnë portofole ministrore.

Prurjet e reja që sjell Edi Rama në skuadrën e tij qeverisëse janë Delina Ibrahimaj në krye të financave shqiptare, Frida Krifca si ministre bujqësie, Edona Bilalin ministre shteti për sipërmarrjen dhe Bora Muzhaqi ministre shteti për Rininë dhe Fëmijët.

Pjesë e qeverisë së re do të jenë 9 ministra që kanë shërbyer edhe gjatë mandatit të dytë qeverisës të socialistëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat