Basha i përgjigjet Berishës: Nisma për vetting politik është e 2018-ës, ke firmosur edhe ti!

Shqipëria

Basha i përgjigjet Berishës: Nisma për vetting politik është e 2018-ës, ke firmosur edhe ti!

Më: 23 tetor 2021 Në ora: 14:06
Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Kryedemokrati Lulzim Basha komentoi sërish propozimin e PD për vettingun e politikanëve.

Gjatë konferencës për media, Basha u pyet nga gazetarët lidhur me deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili tha mbrëmjen e kaluar nga “foltorja” e Beratit se “Se si mundet një forcë politike që e quan veten demokratike, të propozojë që të vendosë SPAK-u për mandatet e deputetëve, që është i Ramës, do të thotë që je skllav i tij”.

Në përgjigjen e tij, Basha deklaroi se propozimi i PD është i njëjti qëndrim që PD dhe opozita e bashkuar kanë firmosur dhe dërguar në Kuvend në vitin 2018, ku sipas tij, firmëtar ishte edhe vetë Sali Berisha.

“Duhet të themi edhe njëherë diçka për njerëzit, se nisma jonë nuk është e javës së kaluar, por e vitit 2018. Në vitin 2018 i gjithë grupi parlamentar i PD, dhe gjithë opozita e bashkuar kërkoi vettingun e politikanëve, depozitoi edhe me firmën e Sali Berishës, apo të tjerëve, në Kuvend amendamentet kushtetuese për vettingun e politikanëve. Ky është fakti. Pas kësaj, Edi Rama për të vonuar procesin, kërkoi dërgimin në Komisionin e Venecias. Ne pranuam, Komisioni i Venecias solli një përgjigje, që e kemi publikuar.

Cfarë po ndodh sot është se ne kemi marrë të njëjtin propozim të firmosur nga opozita në 2018 dhe kemi reflektuar të gjitha vërejtjet dhe kërkesat e Venecias. Unë i qëndroj firmës sime të 2018. Nëse dikush tjetër i qëndron apo ka ndryshuar qëndrim, kjo është cështje e tyre. Ne nuk bëjmë gjë tjetër, veçse konfirmojmë atë që kemi kërkuar më 2018, por e polotësuar me kërkesat e Venecias. Kjo dhe vetëm kjoështë e vërteta dhe nuk ka asnjë tërheqje nga kjo, zero tërheqje. Unë flas për veten time. Pa diskutim që ky akt kërkon masë të plotë sinqeriteti, prandaj herën e fundit që ishim këtu kam kërkuar zyrtarisht që vettingu të nisë nga unë. Vettingu, që të ketë besueshmëri dhe që të kryhet sipas rekomandimeve të Venecias, nuk duhet dhe nuk mund të përjashtojë askënd, por as nuk mund të kryhet në forma që shkatërrojnë procesin e Vettingut.

Pra, nëse vettingu im bëhet nga Bardhi e Duma, kuptohet cfarë vettingu është. Ne kërkojmë vetting të vërtetë dhe nuk kemi frikë nga kontrolli i thelluar. Mirëkuptoj frikën e kundërshtarit politik, apo shqetësimet që mund të ketë, por i them se kjo nuk është ekspeditë ndëshkimore ndaj Ramës dhe ministrave të tij. Kjo nuk bëhet për interesat tona politike. Duhet të marrë fund rrotagjilja e të bërtiturit në emër të reformës në drejtësi, ndërkohë që atë që kërkon për gjyqtarë e prokurorë, kur atë gjë ke frikë ta bësh për veten tënde. Vettingu do jetë publik dhe testi për cdo politikan do të jetë pikërisht qëndrimi që do të kenë ndaj procesit të vettingut”, tha Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat