U skualifikuan padrejtësisht? Reagon DVP Fier: Nëse nuk plotësojnë qoftë edhe 1 kriter, aplikantët…

Shqipëria

U skualifikuan padrejtësisht? Reagon DVP Fier: Nëse nuk plotësojnë qoftë edhe 1 kriter, aplikantët…

Më: 1 nëntor 2021 Në ora: 16:24
Foto

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka reaguar mbi pretendimet e ngritura se aplikantët janë skualifikuar padrejtësisht duke mos iu dhënë mundësia për të vijuar në fazat e konkurrimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë për Patrullë të Përgjithshme.

“Aplikantët, në bazë të ligjit nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe urdhrit nr. 846, datë 15.09.2021, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duhet të plotësojnë kriteret e nenit 38 të Ligjit për Policinë e Shtetit dhe të nenit 44 të VKM nr.1143, datë 09.12.2020, e ndryshuar.

Gjatë fazës së verifikimit të dokumentacionit, nëse aplikantët nuk plotësojnë qoftë edhe 1 kriter të vetëm, ata skualifikohen”, thuhet në njoftimin e DVP Fier.

Sektori i Burimeve Njerëzore në DVP Fier i ka njoftuar me shkresë zyrtare aplikantët që nuk kanë plotësuar kriteret në lidhje me vendimin e skualifikimit, në total 21 persona, nga të cilët 5 për shkak të moshës dhe 16 për mosplotësim të pikës gjashtë germa f (të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtje penale me dashje) dhe pikës nëntë (kriteri i besueshmërisë).

Aplikantët, pasi janë njohur me vendimin e skualifikimit, kanë patur të drejtën e ankimimit të vendimit në Komisionin e Posaçëm të Ankesave të ngritur pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, i cili i shqyrton ankesat e tyre brenda tre ditëve. Aktualisht pranë burimeve njerëzore në DVP Fier, nga 21 aplikantë të skualifikuar, 9 prej tyre kanë depozituar ankimimin e vendimit.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier siguron aplikantët dhe të gjithë qytetarët se ka zbatuar me rigorozitet të gjitha procedurat ligjore gjatë fazës verifikuese të dokumentacionit të aplikantëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat