​Shqipëria në mesin e vendeve me numrin më të lartë të vdekjeve në rrugë

Shqipëria

​Shqipëria në mesin e vendeve me numrin më të lartë të vdekjeve në rrugë

Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 17:29
Foto ilustrim

Statistikisht në Shqipëri ndodhin mesatarisht 4 aksidente rrugore çdo ditë. Në to mbesin të dëmtuar shtatë persona, ndërsa thuajse çdo 24 orë, një njeri humb jetën.

Thuajse në të gjitha rastet, aksidenti shkaktohet nga pakujdesia e drejtuesve të automjeteve.

Për të ndërgjegjësuar përdoruesit e automjeteve, e njëherazi sensibilizuar qytetarët, 15 nëntori vlerësohet si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave nga Aksidentet Rrugore.

Për ekspertin Artur Sulçe, reduktimi i aksidenteve rrugore dhe fataliteteve si pasojë e tyre mund të ndodhë nëpërmjet një “recete” me tre kushte: “Duhet rritur kultura e sigurisë rrugore te përdoruesit e automjeteve dhe këmbësorët; duhet menaxhuar trafiku në rrugët urbane dhe ndërurbane; të gjithë institucionet që kanë pjesë te elementi aksident, duhet të punojnë në grup dhe në mënyrë sistematike”.

Referuar të dhënave nga Policia e Shtetit, grup-mosha 18-25 vjeç përbën edhe numrin më të madh të të përfshirëve në aksidente rrugore.

Vdekjet si pasojë e aksidenteve rrugore përllogariten në vlerën e rreth 1.5% të vdekjeve totale të ndodhura në vend, kjo është një prej arsyeve se pse Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të humbjes së jetës nga aksidentet rrugore në raport me popullsinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat