SPAK çon në gjykatë ish-kandidatin për deputet të LSI, Etion Joka

Shqipëria

SPAK çon në gjykatë ish-kandidatin për deputet të LSI, Etion Joka

Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 10:30
Etion Joka

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim ish-kandidatin e LSI për deputet Etion Joka.

Sipas SPAK nga hetimet bazuar në filmimet e publikuara në media, ka rezultuar se Joka ka i ka ofruar një shumë prej 100 dollarësh qytetarit të identifikuar si Elis Babo.  

Ndaj Jokës është ngritur akuza për korrupsion aktiv në zgjedhje, ndërkohë Babo do të akuzohet për korrupsion pasiv.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar kryesisht procedimin penal Nr.131/2021, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, bazuar në pamjet filmike të transmetuara në datën 23 Prill 2021 në median audiovizive, konkretisht në kanalin televiziv “Top News”.

Nga të dhënat e përfituara nga pamjet filmike, si dhe nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi penal, rezultoi e provuar se: shtetasi Etion Joka, kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të datës 25 Prill 2021, i ka ofruar një shumë prej 100 (njëqind) USD, shtetasit Elis Babo, në këmbim të sigurimit të votave.

Në përfundim të hetimeve në datë 26.11.2021, Prokuroria e Posaçme ka përcjellë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për kalim për gjykim dhe aktet e procedimit penal Nr. 131/2021, ndaj të pandehurve:

1. Etion Joka, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

2. Elis Babo, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat