Berisha, një aksident nga i cili shpëtuan edhe ata që nuk ishin në makinë

Shqipëria

Berisha, një aksident nga i cili shpëtuan edhe ata që nuk ishin në makinë

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 16:31
Sali Berisha

Ndodh ndonjëherë që ka më shumë rëndësi si tregohet një ngjarje sesa si ka ndodhur vetë ngjarja.  Rreth 30 vjet më parë, në 1991 një kandidat për deputet i partisë demokratike, mbeti me makinë mbi shinat e trenit, ne nje nga mbikalimet e shumta hekurudhore, në rrugën drejt Durrësit. Kur u kthye ne Tiranë, B. Ç., pretendoi se sigurimi i shtetit kishte dashur t’i bente atentat me tren.

Për vite me radhë, këtë histori të vërtetë e tregonin si anekdotë, e cila e arrinte kulmin e komicitetit, kur demokrati i orëve të para, thoshte se nuk ishte shqetësuar për fatin vetjak, por sepse në Tiranë do të shpërthente revolucioni si hakmarrje demokratësh për atentatin me tren ndaj opozitës.

Kjo histori komike e dikurshme, pati çdo shans të shndërrohej në tragjedi të mirëfilltë në mbrëmjen e të premtes, si një shenjë që jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër dhe si një dëshmi, që vetë Perëndia nuk ja ka gjithmonë me hile shqiptarëve. E

skorta e zotit Berisha u përfshi në nje aksident gjate kthimit të tij në Tiranë nga një prej foltoreve të tij. Fatmirësisht nuk pati asnjë perfshirje të makinës së Doktorit në aksident dhe gjithashtu, pati vetëm të plagosur lehtë.

Vetëm imagjinata do të mund të vizatonte skenarin e kundërt. Mjeshter i pakrahasueshëm i shfrytëzimit të rasteve, gjeni i papërsëritshën i shndërrimit në urë për të kaluar përtej, të cdo qimeje që i afron fati, i pashok në qemtimin e çdo detaji që mund t’i japë epërsi në politike, me të gjitha gjasat shqiptari me i trishtuar që incidenti rrugor kaloi pa asnjë problem, është vetë zoti Berisha.

Në këtë udhëkryq të jashtëzakonshëm të jetës së tij, atij i nevojitet në mënyrë të dëshpëruar, qoftë edhe një gërvishtje e Benz-it të tij. Larg qoftë ndonjë gjë më shumë!

Në një rast të tillë, nga spitali i traumës në fillim dhe pastaj në të gjitha foltoret e tjera në vijim, në studio televizive apo rrjete sociale, ai do të shpërthente me stilin e tij të pandryshuëshëm.

Do të shpjegonte me patos se, i tmerruar nga uragani i fitores së demokratëve, boshti i së keqes, pengkryetari dhe kryeministri pengmarrës, bashkë me Sorosin dhe Vuçiçin, mafien vendase dhe atë ndërkombëtare, kishin organizuar atentat ndaj Sali Berishës.

Doktori do të shpjegonte se patronazhisti socialist që drejtonte makinën e blinduar, ishte programuar t’i bllokonte rrugën eskortes ndërkohë që 99 snajperë të tjerë ishin pozicionuar në dy krahet e rruges, ndërsa nje bandë prej 999-shash të tjerë, mes tyre edhe banditë me uniformë të shtetit të dërguar nga Çuçi i krimit, qëndronte  gjithashtu në pritje. “Ata nuk guxuan ta bëjnë sepse u tmerruan nga demokratët e Kurbinit dhe të Mamurrasit që dolën në mbrojtje të Sali Berishës. Unë ju bëj thirrje, ikni sepse po guxuat të qëndroni ende më gjatë në Tiranë, nuk ka forcë në botë, madje as Krijuesi i vetë Botës që të ndalojë Sali Berishën në misionin e tij”, do të thoshte Berisha që në deklarimet e tij të para.

Kjo tablo sinoptike, e deklamuar me stilin e Enver Hoxhës, do të përsëritej kudo gjetkë.  Përtej humorit të zi, madje dhe përtej faktit se dhe vetë skenaristi mund ta besonte si të vërtetë mbasi ta kishte përsëritur disa herë, kjo ngjarje do të dëshmonte një detaj të vetëm. Shpesh, mjetet dhe mekanizmat që ka në dispozicion vetëm fati, mund të ndryshojnë fare papritur edhe shumë ekuilibra pushteti në Tirane.

Demokratët e foltores do ta besonin, demokratët e partisë legale do të tkurreshin edhe më tej dhe nuk do të kishte shumë rendësi se  çdo të thoshin të tjerët. Fjalën do ta merrte rruga dhe rruga në Tiranë flet me kollë kallashnikovësh, ngrohet me zjarr molotovi dhe gjykon me logjikë turme.

Është njerëzore në përgjithësi dhe ndoshta është ballkanase në veçanti, aftësia për të besuar marrëzinë përballë racionalitetit, shkëlqimin e bujshëm të gënjeshtrës përballë monotonisë së të vërtetës. Për këtë arsye, skenari i Berishës do të ishte e vërteta e tij e pandryshueshme dhe do të bëhej e tillë, për këdo që në mënyrë të pandryshueshme, beson realitetet paralele që ndërton Doktor Berisha.

Si rregull tragjedite e historise perseriten si komedi por kësaj here për paradoks mund të ndodhte që historia komike e 91-shit, të shndërrohej në prolog tragjedie.

Ajo mund të krijonte atë lloj shkëndije për zjarr që mund të dëshmojë sesa i brishtë është stabiliteti në Shqipëri, kur mbas çdo ferre apo nga çdo parking karburati, mund të dalë nje patronazhist që ecën ne korsinë e gabuar, gati për të ndryshuar korsinë e historisë së Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat