Asfiksimi i 60-vjeçarit dhe 50-vjeçares, zbardhen detajet si u gjetën të pajetë, dyshohet për lidhje intime mes tyre

Shqipëria

Asfiksimi i 60-vjeçarit dhe 50-vjeçares, zbardhen detajet si u gjetën të pajetë, dyshohet për lidhje intime mes tyre

Më: 29 nëntor 2021 Në ora: 09:03
Golem

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e shtunë në Golem të Kavajës. Pas denoncimeve të familjarëve se dy viktimat kishin humbur kontaktet, policia ka gjetur ditën e shtunë trupat e pajetë të 60-vjeçarit dhe 50-vjeçares. Viktimat janë M. Jani 60 vjeç dhe An. Llulla 50 vjeç, të dy banues në Tiranë, ndërsa Jani kishte në pronësi dhe një apartament në Golem. Dy personat e gjetur të pajetë në një banesë dyshohet se janë asfiksuar nga gazi i gatimit. Djali i M. Janit kishte telefonuar prej dy ditësh babanë e tij, por pa përgjigje. Më pas kishte shkuar në banesën e viktimës, por nuk i është hapur dera. Policia dhe zjarrfikësja së bashku me djalin e 60-vjeçarit kanë shkuar në banesën e M. Janit, pasi i biri denoncoi zhdukjen e të atit. Efektivët kanë shkuar në banesën e Janit, që ndodhet në katin e dytë të një pallati në rrugën “Bulevardi i pishave” në Golem.

Policia ka hapur me dhunë derën e apartamentit ku janë gjetur të vdekur dhe dy personat e raportuar të zhdukur. Mësohet se 50-vjeçarja Llulla është larguar nga banesa më 25 nëntor. Një ditë më pas djali i saj denoncoi zhdukjen e nënës së tij në Komisariatin nr.4 në Tiranë.

“Më datë 27.11.2021, rreth orës 17:45, në Golem, në katin e dytë të një pallati, janë gjetur në banesën e shtetasit M.J., pa shenja jete dhe pa shenja dhune, shtetasi M. J., 60 vjeç banues në Golem dhe shtetasja A. Ll., 50 vjeçe, banuese në Tiranë. Nga hetimet paraprake dyshohet se kanë humbur jetën një ditë më parë si pasojë e asfiksisë nga gazi. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të ngjarjes”, tha policia në njoftimin paraprak për ngjarjen.

Dyshohet se dy viktimat mund të kenë ndërruar jetë një ditë përpara se të gjendeshin të pajetë, pasi sipas dëshmisë së fqinjëve ata kishin ndjerë erën e gazit në pallat. 60-vjeçari Mihal Jani dhe 50-vjeçarja Anila Llulla dyshohet se kishin një lidhje intime mes tyre dhe bashkëjetonin në apartamentin ku u gjetën të vdekur.

Sipas hetimeve paraprake dyshohet se viktimat kanë vdekur aksidentalisht nga rrjedhja e gazit. Megjithatë nuk përjashtohet as mundësia që vdekja e dy viktimave të ketë qenë e qëllimshme.

Vdekje të tjera

Kujtojmë se pak kohë më parë një tjetër person humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi. Në fshatin Reps të Mirditës në banesën e Nikoll Prendit 65 vjeç. Si pasojë e shpërthimit të bombolës është përfshirë nga flakët shtëpia e 65-vjeçarit. Në përpjekje për të shuar zjarrin Prendi u asfiksuar nga tymi duke u djegur brenda në banesë.

“Në fshatin Reps, Mirditë, si pasoje e shpërthimit të një bombule gazi, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit N.P., 65 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen. Shërbimet e Policisë dhe të zjarrëfikses ndodhën në vendngjarje. Grupi hetimor punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia ditën e ngjarjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat