Reshje shiu dhe borë në disa zona të vendit, policia apel shoferëve të respektojnë rregullat e qarkullimit

Shqipëria

Reshje shiu dhe borë në disa zona të vendit, policia apel shoferëve të respektojnë rregullat e qarkullimit

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 15:23
Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato

Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato të hënën kërkoi nga drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, nisur nga situata e motit me reshje shiu dhe bore në të gjithë vendin.

Në një komunikim për mediat, Qato tha se në rrugët e vendit është shtuar prezenca e shërbimeve të policisë, në ndihmë të të cilëve janë vënë edhe Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve të Policisë dhe forca e posaçme “Shqiponja”.

“Me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, drejtuesit e mjeteve dhe motomjeteve të moderojnë shpejtësinë, të ruajnë distancën, të mos kryejnë parakalime të gabuara në asnjë moment, të qëndrojnë në radhë në rastet kur ka fluks të shtuar mjetesh apo ngadalësim të lëvizjes për shkak të reshjeve të dendura të shiut, të vendosin rripin e sigurimit, kaskën mbrojtëse, të mos drejtojnë mjetet nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, pasi do përballen me sanksionet ligjore dhe administrative që parashikohen në Kodin Rrugor”, tha ai.

Reshje të dendura shiu kanë përmbytur disa qytete, si Durrës, Lezhë, Elbasan dhe Kukës pasi vendi gjatë natës u përfshi nga rrebeshe shiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat