Edi Rama tregon para ambasadorëve si e bëri të ndihej fitorja e mandatit të tretë

Shqipëria

Edi Rama tregon para ambasadorëve si e bëri të ndihej fitorja e mandatit të tretë

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 23:07
Edi Rama

Është mbajtur këtë të enjte takimi tradicional i kreut të qeverisë Edi Rama me trupin diplomatik të vendosur në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama rrëfeu para diplomatëve ndjesitë e tij pas fitimit të mandatit të tretë.

“Fitimi i një mandati të tretë nuk më bëri të ndjehem i pamposhtur, por më i përulur se kurrë karshi njerëzve të Shqipërisë, të cilët na e dhanë mua e partisë sime besimin ndërkohë që me plot të drejtë presin më shumë prej nesh. Më lini të rrëfehem këtu, për mua personalisht fitorja ishte njëkohësisht e ëmbël dhe e hidhur. Ndjeva se nuk kishim bërë mjaftueshëm për të shuar dasitë në një vend të përndjekur ende nga e shkuara ku lajmësi duhej vrarë përpara se sa të dëgjohej mesazhi e ku kundërshtari politik ende shihet, jo si një kundërshtar me të cilin duhet angazhuar, por si një armik që duhet shkatërruar. Pas një fitoreje të tillë, më përndjek më shumë se asnjëherë më parë, pafuqia e pushtetit për të ecur aq shpejt sa do të duhej me modernizimin e një vendi, i cili humbi aq shumë dekada përmes diktaturës e më pas rrumpallës, varfërisë absolute e më pas korrupsionit, nga shteti njëpartiak e më pas tek keqqeverisja. Kur këqyr me shpejtësinë frenetike të kalimit të kohës në detyrë përkundrejt shpejtësisë së mundshme të ndryshimit në vend, ndihem tejet i sekëlldisur. E di që ritmi i ndryshimit nuk mund të jetë kurrë mjaftueshmërisht aq i shpejtë sa duhet për t’ju përgjigjur vorbullës së dekadave të mbushura me aspirata që u rritën si dëshira të penguara. Le të marrim BE-në. Kemi bërë gjithçka që duhej, vazhdimisht e vazhdimisht për të na dhënë dritën jeshile për hapin tjetër dhe sërish e sërish, na kanë penguar forca që janë përtej kontrollit tonë. Ky është fakt jetësor dhe ndërkohë që nde do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi për ta bërë Shqipërinë çdo vit një shtet më të besueshëm, më funksional, më demokratik e më të ngjashëm me një anëtar të BE koha fluturon dhe frustrimi i shqiptarëve rritet”, tha Rama.

Po ashtu, kreu i qeverisë u ndal edhe tek Reforma në Drejtësi ku tha se është bërë në një angazhim të palëkundur duke marrë përsipër edhe kostot.

Megjithatë sipas kryeministrit koha kalon, por “figurat më të dyshimta të së shkuarës gjejnë ende guximin të bëjnë kërcënime groteske me sfurqe apo rikthime në skenë, në emër të sovranitetit, dinjitetit, pastërtisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat