Seanca plenare nis me tensione/ Deputetët e përjashtuar nga PD i kërkojnë Nikollës të refuzojë vendimin e Bashës

Shqipëria

Seanca plenare nis me tensione/ Deputetët e përjashtuar nga PD i kërkojnë Nikollës të refuzojë vendimin e Bashës

Më: 17 janar 2022 Në ora: 16:59
Kuvendi i Shqipërisë

Ka nisur me tensione këtë të hënë seanca e parë plenare e sesionit të dytë të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Ka qenë deputeti Edmond Spaho ai mori fjalën fillimisht në këtë senancë, duke kundërshtuar vendimin e Partisë Demokratike për të përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike katër deputetë që kanë dalë në mbështetje të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në fjalën e tij, Spaho theksoi se nuk e kishte menduar se do të vinte një ditë urdhëri që Lulzim Basha do të sillte kohën e diktaturës, duke iu referuar përjashtimit të tij nga grupi i parlamentar i kësaj partie.

Ai tha se nuk e përjashton dot Basha nga partia, sipas tij, njeriu që futi kriminelë në selinë e PD-së dhe qëlloi më gaz lotsjellës mbështetësit e kësaj force politike.

“Nuk e kisha menduar kurrë që Lulzim Brava do të na sillte kohën e diktaturës kur njerëzit përjashtohen nga Kuvendi. Pres që të më njoftojë tani edhe fshatin ku do të më internojë. Nuk më përjashton dot njëri mua nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. S’më përjashton mua ai që futi kriminelë në Selinë e PD-së dhe goditi më gaz lotsjellës mbështetësit e PD. Nuk kanë të ardhme demokratët me këtë, me një njeri që ka humbur 4 palë zgjedhje dhe shitet si e ardhmja e e demokratëve. Do t’i vijë dita, mos kujtojë se e ka të largët. Qytetarët do t’i japin atë që meriton këtij njeriu“, tha Spaho.

Pas Spahos, reaguan edhe deputetët Oerd Bylykbashi dhe Flamur Noka, të cilët kundërshtuan vendimin për përjashtimin nga grupi parlamentar i PD-së.

Bylykbashi, duke iu referuar rregullores, tha se deputeti largohet me dëshirën e tij nga grupi parlamentar.

“Rregullorja dhe Kushtetuta nuk parashikon asnjë lloj kufizimi në lidhje me këtë. Nuk mund të bëhet kjo përndryshe vendoset precedent i rrezikshëm“, tha Bylykbashi.

Noka, duke i referuar kryetares së Kuvendit, theksoi se ka marrë urdhër nga Edi Rama, që shoqata e bravave të trajtohet me dashuri të veçantë.

“Ju keni marrë urdhër nga kreu i regjimit që shoqata e bravave, shulave dhe llozeve të trajtohet me dashuri të veçantë nga ana juaj. Ju duhet kjo shoqatë sepse pa të jeni të mbaruar. Vetëm kështu ju fusni në thes opozitës dhe e kontrolloni pluralizimin. Askush nuk ia përcakton përkatësinë deputetëve përveçse votuesit“, tha Flamur Noka.

PD, njoftoi zyrtarisht sot Kuvendin edhe për përbërjen e re të grupit parlamentar, pas shkarkimeve të katër deputetëve demokrat.

Në shkresë bëhet me dije se deputetët Albana Vokshi, Flamur Noka, Luan Baci dhe Edmond Spaho, me vendim të grupit parlamentar, pas masave disiplinore të marra nga Kryesia e Partisë Demokratike, nuk janë më pjesë e këtij grupi.

Kujtojmë se të katërt deputetët e PD kanë qenë në mbështetje të Sali Berishës për shkarkimin e Lulzim Bashës, si kryetar i kësaj partie.

Ndër të tjera sqarohet se në mbledhjen e zhvilluar të shtunën, Enkelejd Alibeaj është zgjedhur si kryetar i grupit parlamentar, post që më parë e mbante Alfred Rushaj. Ndërsa Agron Gjekmarkaj është propozuar si nënkryetar i Kuvendit duke zëvendësuar Alibeajn.

Gjithashtu janë propozuar disa ndryshime në Komisione, Këshilla, Byronë e Kuvendit dhe në përbërjen e delegacioneve të përhershme të Kuvendit pranë organizatave ndërkombëtare.

Seanca e parë parlamentare për vitin 2022 do të fillojë në orën 17:00 dhe i pranishëm do të jetë edhe presidenti Rexhep Tajip Erdogan. Në fund të vizitës së tij njëditore në Shqipëri, Erdogan do mbajë një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo është vizita e tij e parë për këtë vit jashtë shtetit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat