“Këshillimi Kombëtar”/ Rama: Është koha të flasim më shumë si shqiptarë!

Shqipëria

“Këshillimi Kombëtar”/ Rama: Është koha të flasim më shumë si shqiptarë!

Më: 19 janar 2022 Në ora: 12:24
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama në një video mesazh shpjegoi qëllimin e shpërndarjes së ​pyetësorit për 12 çështje, për të cilat kërkon mendimin e shqiptarëve.

Kryeministri thotë se përmes nismës së “Këshillimit Kombëtar”, dhe pyetësorët që po dërgohen nëpër shtëpitë e qytetarëve, synohet : Përmes një pyetësori që po mbërrin nëpër shtëpitë tuaja, dua që t’i japim jetë një kuvendimi popullor ku të merret mendimi i gjithsecilit mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, familjen, drejtësinë, bashkëjetesën tonë demokratike.

Kjo është një kopje e formularit siguruar nga gazetari Top Channel, Muhamed Veliu, ku si pyetje e parë është renditur a duhet bërë diferencim për nënat që rrisin 3 ose më shumë fëmijë të mitur në përfitimin e mbrojtje të veçantë sociale nga shteti. Çdo person mbi moshën 18 vjeç ka të drejtën të zgjedhë një nga tre alternativat që gjenden në formular.

Mesazhi i Ramës

Le të dëgjojmë njëri-tjetrin

Unë besoj se ne shqiptarët kemi mundësinë të shkojmë shumë më shpejt përpara, duke e dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke menduar për njëri-tjetrin.
Ju po njiheni dita-ditës me një nisëm të re të qeverisë, Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë. Përmes një pyetësori që po mbërrin nëpër shtëpitë tuaja, dua që t’i japim jetë një kuvendimi popullor ku të merret mendimi i gjithsecilit mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, familjen, drejtësinë, bashkëjetesën tonë demokratike.

Çdo shtëpi shqiptare do të marrë  një pyetësor të Këshillimit Kombëtar përmes postës. Më të moshuarit mund ta plotësojnë pyetësorin dhe të na e ridërgojnë me postë pa asnjë shpenzim. Të tjerët mund ta japin opinionin e tyre përmes faqes së Këshillimit Kombëtar online në platformën tonë të bashkëqeverisjes. Të gjithë do të mund të përdorin edhe pikat e Këshillimit Kombëtar që do të hapen në çdo bashki.

Është koha të nxjerrim të gjithë mësimet tona nga këto tre dekada përpjekje demokratike dhe të mos lejojmë që llogoret partiake apo kacafytjet për interesa personale brenda tyre, të na marrin peng të ardhmen në emër të së shkuarës, të klisheve të vjetra “i djathtë” “i majtë”,  të besnikërisë ndaj atij apo atij tjetrit. Është koha të flasim më shumë si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz, se sa si luftëtarë llogoresh, mllefesh, inatesh kundër njëri-tjetrit. Është koha të dëgjohemi për mendimet dhe idetë e secilit për shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë, e të këshillohemi së bashku për vendimet me rëndësi për familjen shqiptare.
Le të dëgjojmë njëri-tjetrin, me kurriz nga llogoret partiake dhe sytë e imagjinatës nga e ardhmja e ndritur e Shqipërisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat