Rama: Qeveria ka alokuar 180 milionë euro për të ndihmuar bujqësinë dhe turizmin në vend

Shqipëria

Rama: Qeveria ka alokuar 180 milionë euro për të ndihmuar bujqësinë dhe turizmin në vend

Më: 26 janar 2022 Në ora: 12:27
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë gjatë fjalës së tij në lidhje me financimin e kolateralit të kredive të bujqësisë tha se qeveria shqiptare së bashku me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka alokuar 180 milionë euro për të ndihmuar sektorët jetik në vend siç janë bujqësia dhe turizmi, duke lehtësuar sipas tij financimin e tyre.

Për kryeministrin shqiptar ishte ky mekanizëm që hapi rrugën e një qasje në financa në sektorin e agro-biznesit nëpërmjet një linje kredie dhe mundësisë së ndarjes së riskut të portofolit për institucionet financiare dhe bankare.

Ajo që kemi sot para syve nuk është siç e tha edhe një prej parafolësve një arsye për të qenë plotësisht të kënaqur, por është një arsye për të qenë plotësisht të bindur se kjo është rruga”, tha ai.

Sipas tij, sot janë 6000 përfitues nga fondi i garancisë dhe janë 72 milionë euro të disbursuara nga ky fond.

Mbetet ende në dispozicion një pjesë e konsiderueshme e fondit. Ashtu sikundër vihet në dispozicion nga qeveria shqiptare një fond tjetër garancie sovrane për të mundësuar vazhdimin në këtë rrugë dhe për të mundësuar rritjen e kreditimit të bujqësisë”, tha Rama.

Ai mendon se tani është koha që fermerët të vetëdijësohen se koha e bujqësisë së lëmoshës, bujqësisë së mbijetesës, e bujqësisë së subvencioneve pa kriter dhe pa karar ka perënduar, ashtu siç ka perënduar sipas tij edhe koha e bujqësisë vetmitare e atyre që mbeten thjesht në kufijtë e ngastrës së tyre.

Për të, është realisht e pamundur sado që të bëjë Qeveria për ta që të garantohet një e ardhme më e mirë apo që e tashmja të ketë një pamje tjetër nga pamja e një mbijetese turturuese.

Për këtë arsye dua t’i bashkohem parafolësve për t’iu thënë të gjithë atyre që me gjasë na ndjekin për të përsëritur një mesazh se në sektorin e bujqësisë dhe në sektorin e punëve të fshatit që lidhen me prodhimin bujqësor, me prodhimin blegtoral, me agrobiznesin dhe me agroturizmin është e domosdoshme që të shikohet e ardhmja me syrin e inovacionit, me syrin e sinergjive të reja dhe me syrin e sipërmarrjes, e cila beson tek investimi i kapitaleve dhe po ashtu beson edhe tek ndërveprimi me bankat”, tha ai.

Kryeministri është i bindur sot se Shqipëria i ka të gjitha rastet e nevojshme të suksesit për të demonsturar jo me fjalë, por me vepra se cila është rruga e të ardhmes në zhvillimin rural të vendit.

Dhe sipas tij rruga e të ardhmes është e ndjekur jo më nga një dy-tre aktorë të suksesshëm në bujqësi, por nga qindra që po bëhen me mijëra.

Na takon ne si qeveri të investohet seriozisht për t’i promovuar këta shembuj në sy të gjithë të tjerëve që duan të bëjnë sukses në këtë sektor”, tha kryeministri Rama.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat