Mbledhja e Këshillit të Sigurisë/ Meta: Të evakuohen shqiptarët në Ukrainë në rast nevoje

Shqipëria

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë/ Meta: Të evakuohen shqiptarët në Ukrainë në rast nevoje

Më: 14 shkurt 2022 Në ora: 18:55
Foto nga vendi i ngjarjes

Këshilli i Sigurisë Kombëtare konfirmoi sot qëndrimin e Shqipërisë në mbrojtje të sovranitetit të Ukrainës, duke bërë apel për zgjidhjen e krizës në mënyrë paqësore.

Mbledhja zgjati rreth 60 minuta, dhe morën pjesë, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, zv.kryeministri Arben Ahmetaj, ministrat që sipas ligjit janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kreu i Policisë së Shtetit Gledis Nano, dhe prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Jashtme, Xhaçka munguan pasi ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këshilli diskutoi rreth zhvillimeve në kufirin Ukrainë – Rusi, si dhe rreth pasojave që mund të sjellë një agresion i mundshëm rus.

Meta u fokusua te qytetarët shqiptarë që jetojnë në Ukrainë dhe mundësitë për evakuimin e tyre.

“Presidenti Meta theksoi në mënyrë të veçantë domosdoshmërinë e evidentimit dhe mbajtjes së kontakteve me qytetarët shqiptarë me banim të përkohshëm në Ukrainë dhe mundësimin e evakuimit të tyre në rast nevoje, vijimin e reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, forcimin e kapaciteteve kundër sulmeve kibernetike, marrjen e masave për rritjen e sigurisë së infrastrukturës strategjike dhe garantimin e rezervave të shtetit për çdo rast, si dhe ndjekjen me vëmendje maksimale të zhvillimeve në rajonin tonë”, theksohet në njoftimin e Presidencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat