Ndërtuesit denoncojnë Veliajn: Taksohemi për dheun si mbetje, po nuk paguam incineratorët nuk marrim leje

Shqipëria

Ndërtuesit denoncojnë Veliajn: Taksohemi për dheun si mbetje, po nuk paguam incineratorët nuk marrim leje

Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 17:45
Luigj Aleksi

Në komisionin hetimor lidhur me incineratorët është thirrur sot edhe Luigj Aleksi, kryetar i shoqatës së ndërtuesve, i cili ka hedhur akuza ndaj bashkisë së Tiranës

Ai tha se bashkia e Tiranës u ka vendosur kusht për lejet e ndërtimit dhe se ata duhet të kenë marrëveshje me inceneratorin në Sharrë për depozitimin e dherave.

Sipas tij, për çdo metër kub dhe që çojnë në landfill detyrohen ta paguajnë si mbetje, dhe t’i japin pronarit të landfillit edhe një taksë.

Madje ai shtoi se taksa varion dhe miratohet me vendim të këshillit bashkiak dhe dhe se nuk jepen lejet e ndërtimit pa kryer marrëveshjen me inceneratorin.

Pjesë nga dëshmia në komision:

Luigj Aleksi: Në katalogun e mbetjeve, ky aneks, parashikon që kjo direktivë Evropiane përcakton masat. Në lidhje me menaxhimin e dheut si mbetje, nuk parashikon asnjë detyrim për ta depozituar në landfill apo për ta trajtuar atë. Përjashtohet nga fushë veprimi toka e pa kontaminuar dhe materiale të tjera. Ky është fakti, kjo është esenca. Në një kohë, që ne çdo metër kub dhe që çojmë në landfill detyrohemi ta paguajmë si mbetje, dhe t’i japim pronarit të landfillit edhe një taksë.

Taksa varion dhe miratohet me vendim të këshillit bashkiak. Luhatet nga 350 lekë për ton, ndërkohë që ky dhe është lëndë e parë për landfillin, ai e pasuron dhe jo e helmon. Që në 2018 që doli ky problem i kërkuam bashkisë takim, kemi marrë një përgjigje që bënin të paditurin dhe nuk na kanë treguar, na thanë jemi si ju klientë, ndërkohë ata miratojnë çmimin na detyrojnë të shkojmë të bëjmë marrëveshje me landfillin. Në 2018 i kemi shkuar edhe ministrisë së Turizmit dhe Gjiknurit dhe Sonila Qatos për sipërmarrjen dhe kjo nuk është korrigjuar.

Jorida Tabaku: Si ju detyron ju bashkia të shkoni te koncesionari?

Luigj Aleksi: Nuk jep lejen e ndërtimit pa kryer marrëveshjen me inceneratorin.

Jorida Tabaku: Bashkia ju bën presion?

Luigj Aleksi: Thotë do të bëni marrëveshjen me inceneratorin se do të paguani taksën. Nuk kemi asnjë akt zyrtar. Ndërtuesit i kanë kërkuar bashkisë 4 vende depozitimi. Pastaj pse duhet ti paguaj taksë sikur është mbetje? Nuk është mbetje. Përse koncesionari duhet të përfitojë padrejtësisht para nga një mall kur nuk është mbetje, por mall. Këtë konstatojmë ne. Ky shërbim i bashkisë që detyron ndërtuesit. Ndërtimet nuk janë vetëm private. Ne ndërtojmë edhe për publikun. Çfarë ndodh me fondet? Nuk i merr ndërtuesi. Do ti paguajë buxheti i shtetit. Dheu nuk është mbetje, nuk duhet të paguajmë taksë. Kjo ndodh vetëm në bashkinë e Tiranës, në asnjë bashki tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat