“Kërcënoi me kazmë të atin dhe nipin 12-vjeçar”/ Policia arreston 45-vjeçarin, familjarët e frikësuar kërkojnë shtrimin e tij tek Psikiatriku

Shqipëria

“Kërcënoi me kazmë të atin dhe nipin 12-vjeçar”/ Policia arreston 45-vjeçarin, familjarët e frikësuar kërkojnë shtrimin e tij tek Psikiatriku

Më: 14 mars 2022 Në ora: 14:24
Foto ilustrim

Një 45-vjeçar me probleme të shëndetit mendor u arrestua nga policia e Tiranës pasi për disa orë mbajti nën kërcënim babain dhe nipin 12-vjeçar.

“Unë së bashku me bashkëshortin tim dolëm nga shtëpia në orën 06:10 dhe shkuam tek ambulanca në Laprakë, për disa probleme shëndetësore. Ndërkohë që unë kisha dalë me bashkëshortin tim, në shtëpi kisha lënë djalin tim të vogël 12 vjeçar, Franci Shehi dhe vjehrrin tim që quhet Agim Shehi. Më pas, nga ora 09:24 më shkruan mesazh djali im Franci dhe më tha se është Iliri te dera dhe se ka thyer xhamin dhe se po ofendon gjyshin. Ai ishte shumë i trembur dhe më kërkonte që të shkonte urgjentisht në shtëpi i ati”, tregon Ermira Shehi.

Në dosjen hetimore, thuhet për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha, se ajo dhe bashkëshorti mbërritën shumë shpejt në banesë dhe sapo mbërritën aty, vunë re Ilirin, i cili mbante një kazmë në dorë dhe ofendonte me zë të lartë, por edhe kërcënonte se do i vriste të gjithë.

45-vjeçari vuan prej shumë vitesh nga probleme të shëndetit mendor, para një muaji e gjysmë, ai ishte shtruar në Spitalin Psikiatrik, por stafi mjekësor nuk e mbajti më gjatë, pasi ishte i detyruar të merrte nga policia mjekim të detyrueshëm.

“Unë menjëherë njoftova policinë dhe pasi erdhi policia i kanë marrë me zor kazmen që mbante në dorë si dhe i kanë gjetur një dorezë hekuri në xhep. Shkova brenda tek djali, Franci, i cili ishte shumë i trembur nga situata që kishte ndodhur. Duke qenë se vjehrri im është invalid dhe nuk mundet që të ecë, u paraqitem ne në polici që të bënim një kallëzim penal. Vjehrri im ka rreth 12 vite që është i paralizuar dhe që ka këtë problem. Kurse djali im nuk ndihej mirë dhe ishte në një gjendje të rënduar psikologjike dhe nuk donte që vinte në polici për momentin deri sa të qetësohej”, thotë ajo.

Kjo nuk është hera e parë që kunati i shqetëson dhe i kërcënon në këtë mënyrë.

Ermira thotë se hera e fundit kishte ndodhur para dy muajsh, me të njëjtin problem, 45-vjeçari kishte shkuar në shtëpinë e tyre, duke thyer vazo dhe çfarë gjeti në banesë, por edhe i kishte kërcënuar se do t’i vriste.

“Unë ndihem shumë e shqetësuar dhe e kërcënuar, pasi Spitali Psikiatrik nuk e mban të shtruar dhe Iliri është me probleme mendore të theksuara dhe kam frikë se ndonjë ditë mund të ndërmarrë ndonjë veprim tjetër. Kërkoj që të mbajë përgjegjësi dhe të na lërë të qetë, pasi siç thashë ka trembur djalin tim, si dhe ne të gjithëve”, shprehet Ermira para policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat