Shisnin kokainë në Pogradec, në pranga 25-vjeçari, procedohet penalisht e dashura

Shqipëria

Shisnin kokainë në Pogradec, në pranga 25-vjeçari, procedohet penalisht e dashura

Më: 10 prill 2022 Në ora: 14:04
Gjesendet e gjetura

Vihet në pranga poseduesi i sasisë dhe procedohet penalisht një shtetase tjetër për moskallëzim krimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Mesnata”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. M., 25 vjeç, banues në Pogradec dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen D. T., 24 vjeçe, banuese në Pogradec.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se shtetasi i mësipërm ushtronte aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, shërbimet e policisë organizuan veprimet dhe ushtruan kontroll në banesën e tij, në lagjen nr. 1 Pogradec. Si rezultat i kontrollit, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë dhe një sasi lekësh të prerjeve të ndryshme.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore, rezultoi se 24-vjeçarja, bashkëjetuesja e shtetasit M. M., nuk kishte kallëzuar këtë aktivitet kriminal, në organet kompetente.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat